Diabeti mellitus i referohet një grupi sëmundjesh që ndikojnë në mënyrën se si trupi përdor sheqerin e gjakut (glukozë). Glukoza është shumë e nevojshme për shëndetin sepse është një burim i rëndësishëm energjie për qelizat që përbëjnë muskujt dhe indet. Gjithashtu është burimi kryesor i energjisë për trurin.

Ekzistojnë disa tipe të diabetit, por më të shpeshtë janë:

  • Diabeti tip 1 – ose insulino-vartës
  • Diabeti tip 2
  • Prediabeti – kur nivelet e sheqerit në gjak janë më të larta se normalja, por jo aq të larta sa të klasifikohet si diabet
  • Diabeti gestacional – diabeti i shtazënisë, që mund të largohet pas lindjes

Mbi 90 % të rasteve të pacientëve të prekur nga  diabeti mellitus janë pacientë me diabet tip 2. Pjesa tjetër vuajnë nga diabeti tip 1, diabeti i shtatzënisë dhe forma të tjera të diabetit.

Simptomat e diabetit

Simptomat e diabetit ndryshojnë në varësi se sa është rritur sheqeri në gjak. Disa njerëz, sidomos ata me prediabet apo diabet të tipit 2, fillimisht mund të mos përjetojnë asnjë simptomë. Në diabetin e tipi 1, simptomat shfaqen më shpejt dhe janë më të rënda.

Disa shenja dhe simptoma të diabetit të tipit 1 dhe 2 janë:

  • etje e shtuar,
  • urinim i shpeshtë, sidomos gjatë natës
  • tharje e gojës,
  • humbje e pashpjegueshme në peshë,
  • infeksione të përsëritura (infeksione të lëkurës, të mishrave të dhëmbëve apo infeksione vaginale)
  • lodhje
  • uri ekstreme
  • shikim i mjegullt
  • irritim
  • plagë që shërohen me vështirësi

Diabeti i tipit 1 mund të zhvillohet në çdo moshë, por zakonisht shfaqet gjatë fëmijërisë apo adoleshencës. Diabeti i tipit 2, lloji më i shpeshtë, mund të zhvillohet në çdo moshë, por është më i zakonshëm tek personat mbi 40 vjeç.

Cilët persona duhet të testohen për diabet?

Personat me faktor më të lartë rreziku për diabet janë:

  • Personat që kanë të afërm me diabet, pra kanë histori familjare
  • Të rriturit që janë mbipeshë apo obezë
  • Personat që bëjnë jetë sedentare
  • Femrat që kanë pasur diabet shtatzënie
  • Femrat me mikrokiste në vezore
  • Personat që janë diagnostikuar më parë me pre diabet
  • Personat që vuajnë nga semundje të zemrës
  • Personat që vuajne nga HTA (Hipertension arterial)
  • Personat që trajtohen me medikamente që rrisin nivelin e glicemisë në gjak