Evgeni Jevtushenko

Shqipëri, ç’do bëjmë me lirinë e madhe,
me këtë grua trathtare të ndërgjegjes?
Në qorrsokak të dytë,
me këngën fitimtare,
liria në paliri do na çojë drejt tërheqjes?

Në banja gjaku na argëtuan marrëzisht,
me kapitalizëm po na ndjellin të fortët.
Do ta gënjejnë Rusinë
dhe Shqipërinë sërisht
dhe sërisht do të rrjedhin të hidhur lotët?

1991
*
SHQIPTARKA

Shqiptarkë që të magjeps me bukurinë,
katërmbëdhjetë vjeçe, e zbathur.
The se të quajnë Aksinjë,
“Po Melehovi të është shfaqur?”
“Ende s’e kam, – psherëtive lehtë, –
s’e dua shpellar, e dua poet”.

E rrallë për kohën, s’gjen ngaherë
një vajzkë kështu, e tëra perrí,
që burrin të mos e dojë bankier,
plot me para, por me poezi.

Jeta vetë ecën dhe vonë a herët
do vijnë vajza me intelekt të fortë.
Ato s’do martohen kurrë me skllevër,
Ato s’do marrin tiranë bashkëshortë.

Etje parash e egër do jetë tretur
tek ne, në Rusi, tek ju, në Shqipëri
dhe do ngadhnjejë në shekuj e shekuj
i shenjti mall i madh për poezi.

Dhe poetët-gjeni do të shpërthejnë
mes bunkerësh pa shpirt, të ngrirë
si balle divash të rënë,
nëndhé rroposur, në errësirë,
për të mos u ngritur kurrë më.
Ja u ngritën! Skllevër s’na bën asgjë.