Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur sot të pafajshëm në rastin “Pronto”, ish-deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputetin e PDK-së, Zenun Pajaziti dhe tetë të akuzuarit tjerë.

Lidhur me këtë vendim të Gjykatës, ka reaguar deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se lirimi nga akuza i rastit “Pronto” është goditje e rëndë për shtetin e së drejtës.

“Trupi gjykues i dha të drejtë abuzuesve. Çfarë prova i janë dashur trupit gjykues, kur të gjithë me veshët tanë i kemi dëgjuar abuzuesit?!”, ka shkruar
Haxhiu.

Postimi i plotë:

Aktgjykimi lirues për të akuzuarit e aferës Pronto është goditje e rëndë për shtetin e së drejtës.
Gjykata sot, i dha të drejtë atyre që ia kanë mbytur shpresën rinisë dhe qytetarëve të Kosovës me veprime kriminale me qëllim të kapjes së shtetit.
Trupi gjykues i dha të drejtë abuzuesve.
Çfarë prova i janë dashur trupit gjykues, kur të gjithë me veshët tanë i kemi dëgjuar abuzuesit?!
Aktgjykimi i sotëm është vula e shtetit të kapur. Është aktgjykim që thërret për angazhim deri në çkapjen e shtetit andaj nuk ka kohë për të humbur sepse është nevojë urgjente krijimi i Qeverisë së re.