Grupi militant “Al Shabaab” e ka sulmuar një bazë ushtarake në Lamu të Kenias. Kjo bazë përdoret nga forcat amerikane dhe forcat vendore.

“Ata e kanë sulmuar pistën Manda në Lamu, e cila ndodhet pranë kampit ushtarak me personel të huaj nga shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Kemi informata se luftimet ende janë duke vazhduar”, tha një burim ushtarak.

Ky burim tha se sulmuesit janë duke u përpjekur që t’i qasen bazës përmes pistës. Në disa pamje të publikuara shihet tym i zi.

Përgjegjësinë për sulmin përmes një deklarate e mori grupi Al Shabaab. “Një grup elit i ushtarëve të brigadës Al Mujahideen e ka nisur një sulm të guximshëm ndaj një baze ajrore amerikane”, thuhet në deklaratën e këtij grupi.

Ky sulm ndodhi rreth një vit pas sulmit vetëvrasës në kryeqytetin kenian, Nairobi, në të cilin mbetën të vrarë 21 persona, shkruan “Reuters”.