Me ardhjen e dimrit shtohen mundësitë për acar dhe temperatura të ulëta. Ekspozimi ndaj të ftohtit mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin. Sipas Institutit të Shëndetit Publik mund të merrni disa masa për t’u mbrojtur nga temperaturat e ulëta. Më poshtë janë radhitur disa prej ketyre masave.

Çfarë duhet të keni parasysh kur qëndroni në mjedise të jashtme, të ftohta?

  • Përdorimi i veshjeve të lirshme, të lehta, të ngrohta, të papërshkueshme nga uji.
  • Veshja e xhupave rezistentë ndaj erës dhe shiut, kapelë, doreza, këpucë kundër ujit.
  • Mbulimi i gojës me shall për të mbrojtur mushkëritë.
  • Heqja e rrobave të lagura dhe mbështjellja e trupit me një batanije.
  • Hidhni rërë ose materiale të tjera të rekomanduara në zonat ku ka ngricë.
  • Lexoni rregullat e sigurisë për ambientet e jashtme.
  • Lëvizni ngadalë kur kryeni punë/detyra në ambiente të jashtme.
  • Dilni të shoqëruar dhe mos harroni të merrni celularin.

Cilët janë personat më të rrezikuar nga i ftohti?

  • Të moshuarit pa ushqim, pa veshje të përshtatshme ose pa ngrohje.
  • Personat që qëndrojnë jashtë për periudha të gjata (të pastrehët, policët rrugorë, gjuetarët etj.).
  • Fëmijët
  • Personat që konsumojnë shumë alkool ose që përdorin droga të paligjshme.
  • Foshnjat që flenë në dhoma të ftohta

Meqë fëmijët janë ndër më të rrezikuarit nga i ftohti, në mënyrë që ata të jenë sa më të sigurtë, këshillohet:

  • vishini në mënyrë të përshtatshme për të përballuar të ftohtin;
  • zgjidhni për ata veshje të lehta dhe të brendshme pambuku;
  • nuk rekomandohen veshje të tepërta;
  • mbajini në mjedise të ngrohta.

Nëse keni për të udhëtuar, atëherë duhet të keni parasysh:

  • Shmangni në maksimum lëvizjet me mjete motorike.
  • Informohuni në vazhdimësi për vendin ku do të lëvizni, motin, reshjet dhe temperaturat.
  • Kontrolloni gjendjen teknike të mjetit, karburantin, paketën e ndihmës së parë, pajisjet ndriçuese, gomat.
  • Siguroni veshje të përshtatshme për udhëtimin.
  • Tregoni kujdes për shpejtësinë gjatë lëvizjes me makina.
  • Vendosni fëmijët në vende të përshtatshme, në ulësen e posaçme dhe të lidhur me rrip sigurie.
  • Siguroni që aparatet e celularit të jenë të ngarkuara dhe me bateri rezervë.
  • Mos tentoni të kaloni me mjetin tuaj në vende të dyshimta, me pellgje uji, në vende me akull, me rrezik të lartë rrëshqitje.

Simptomat e ekspozimit ndaj motit të ftohtë:

  • Konfuzioni, marramendja dhe rraskapitja janë shenja të një hipotermie të mundshme.
  • Zbehja e lëkurës në gri, e bardhë ose e verdhë, mpirja ose lëkura e zbehtë janë simptoma të shkaktuara nga ngrica.