KUSH ËSHTË SOVRANI, POPULLI APO POLITIKANËT

Në shtetet demokratike të botës së civilizuar, e në veçanti në demokracitë e vendeve të zhvilluara perëndimore, populli përmes votës së lirë, zgjedh përfaqësuesit e vet në institucionin më të lartë, Parlamentin i cili është njëri nga tre shtyllat kryesore të shtetit, ku nxirren Kushtetuta, Ligjet, Rezolutat dhe shumë dokumente apo akte tjera normative të rëndësishme. Në bazë të këtyre votave të lira, pastaj në procedurat e rregullta parlamentare votohet Qeveria, e cila qeverisë shtetin në mandatin e ardhëshëm.

Shtetet demokratike që përfaqësohen nga sovrani i vërtetë, nënkupton shtetin që mbështetet në tre shtyllat kryesore dhe të pavarura,respektivisht nga Legjislativi, Ekzekutivi dhe  Gjyqësori, me çka ruhet balanci neutral dhe kontrolli i institucioneve shtetërore.

Mirëpo në hapësirat gjithëshqiptare sikurse ndodhë e kundërta, respektivisht edhe përkundër faktit se vota është e shenjtë, e fshehtë dhe e lirë, në çdo proçes zgjedhor, ajo po keqpërdoret dhe ndikohet në mënyra abuzive duke influencuar qytetarët të përzgjedhin përfaqësuesit e imponuar dhe të detyruar nga politika. Aty ku manipulohet, dhunohet dhe keqpërdoret vota e lirë e qytetarit, gjithnjë kemi parlamente jodemokratike që tradhtojnë interesin publik dhe në vend që të merren vendime në interes të qytetarit, ato shkelin dhe përdhosin të drejtat dhe interesat e tyre. Prandaj dhe fatkeqësisht parlamentet tona respektive vendimet i marrin ekskluzivisht në baza partiake duke kënaqur egot, kërkesat dhe urdhërat e liderëve të tyre, e jo si përfaqësues të popullit, duke i lënë anash  interesat dhe kërkesat e sovranit.

Kur vota e popullit vidhet, shitet, blehet dhe dhunohet, nuk mund të flasim për demokraci përfaqësuese, por për manipulim të proçesit zgjedhor,  që në vazhdimsi rëciklon keqqeverisje.

Karakteristikë e një proçesi të manipuluar zgjedhor është edhe përbërja e Parlamentit të tanishën të Shqipërisë i cili është shëndrruar në industri votimi partiak që zbaton politikat dhe urdhërat e kryeministrit, kurse në realitet dhe sipas Kushtetutës, duhej të ndodhte e kundërta, respektivisht Qeveria është institucioni ekzekutiv që zbaton  vendimet dhe politikat e Parlamentit.

Kështu ekzekutivi luan dhe merr rolin e tre shtyllave kryesore të shtetit duke suspenduar institucionet legale kushtetuese dhe duke prishur balancin institucional. Aty ku për gjithëçka vendos kryeministri duke anashkaluar dhe suspenduar institucionet relevante të shtetit, duke përfshirë edhe qeverinë, lind një  sistem i ri i  veprimit politik, një (keq) qeverisje e re me karakter autokratik të ashtuquajtur  sundim apo regjim qeverisës, sepse s’ka ndryshe si të quhet një sistem monopolitik me qeverisje autoritare dhe të papërgjegjshme që shtetin e çon drejt një falimentimi.

Një kryeministër që pretendon se përfaqëson sovranin, kurse në realitet bënë të kundërtën, i cili përmes koncesioneve ka privatizuar tërësisht  shërbimet shtetërore përmes PPP-ve, respektivisht Projekteve Publik – Privat, duke grabitur dhe varfëruar popullin, ai nuk është në rolin  e tij.

Në këtë kontekst, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka konstatuar se Shqipëria është shtet i pasur me burime natyrore, por  përfitimet prej kësaj janë inekzistente, sepse fitimin e merr privati e jo shteti. Po ashtu edhe Banka Botërore përmes drejtoreshës së saj, ka tërhequr « sirenë alarmi » për qeverinë shqiptare lidhur me koncesionet duke thë në se ato janë të lidhura me parajsat fiskale dhe se Shqipëria rezikohet nga deflacioni. Edhe Komisioni Europian duke analizuar gjendjen ekonomike të Shqipërisë, ka konstatuar se Projektet abuzive me partneritet Publik-Privat, të njohura si koncesione, paraqesin një rezik të madhe për rritjen e borxhit publik.

Me këtë rast do të përmendim disa nga këto koncesionet : koncesioni mbi kontrollin e pompave që furnizojnë qytetarët me karburant, që është në kundërshtim me vendim të gjykatës ; koncesioni për sterimizimin e seteve kirurgjikale, tani paguhet 190 euro për një set kirurgjik kurse më parë ka kushtuar vetëm 2,4 euro ; koncesioni për inseneratorët ; koncesioni i monitorimit të kasave fiskale ; koncesioni i aeroportit « Rinas »që u favorizua privati përmes një kontrate abuzive ; koncesioni për ndërtimin e rrugës Orikum-Dukat dhe Balldre-Milot përmes privatit një kilometër kushton 16 million euro kurse me projektin e Bashkimit Europian një kilometër kushton 1.2 million euro ; koncesioni i Bankers Petroleum ; ato në industrinë e mineraleve ; HEC-et ; kompanitë doganore ; dhe shumë e shumë koncersione tjera që zhvatin pasuritë publike dhe dëmtojnë interesat e qytetarëve.

Të gjitha koncesionet, pothuajse pa përjashtim, janë abuzive dhe në kundërshtim me interesat e qytetarëve, ndërsa ato janë kontraktuar me qëllim pasurimin e një grupi të caktuar të njerëzve, apo kompanive të caktuara të lidhura ngushtë me politikën, kurse qytetari është ai që vuan padrejtësinë nga sundimi politik dhe keqqeverisja e elitës së instaluar.

Derisa  Serbia në arenën ndërkombëtare ka marrë një fushatë të egër për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur, është angazhuar edhe për tërheqjen e njohjeve nga shtetet që e kanë  njohur Kosovën, shtet që mohon masakrën e Reçakut, që pengon Kosovën në anëtarësimin në institucione ndërkombëtare, kurse kryeministri shqiptar ka intesifikuar takimet me presidentin e Serbisë lidhur me vendosjen e Minishengenit. Pas takimit në Novi Sad të Serbisë dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me 21. Dhjetor u mbajt takimi i tretë i Samitit të Shengenit Ballkanik, në Tiranë.

Para se t’i qasej kësaj nisme kryeministri shqiptar është dashur të konsultohet me krerët e Kosovës si dhe me institucienet vendore,  e jo të nxitoj dhe t’i shkojë prapa presidentit të Serbisë.  Vet fakti se në takimet e Minishengenit Serbia përfaqësohet me kryetarin e saj, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përfaqësohen në nivel të kryeministrave, tregon se primatin e kësaj nisme dhe interesin më të madh e ka Serbia. Parashtrohet pyetja pse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk përfaqësohen nga kryetarët e shtetit ? Përgjigja është e qartë, se presidenti i Serbisë për këtë projekt i ka zgjedhur njerëzit e dëgjueshëm. Madje po të njejtën ditë të  Samiti të Tiranës, kryetari i Maqedonisë së Veriut  shprehi rezervat e tij lidhur me këtë projekt duke thënë se kjo nuk mund të ndodh pa  pjesëmarrjen e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Papërgjegjshmëria e kryeministit manifestohet edhe në takimet zyrtare ndërkombëtare, kur mbanë veshje jashtë protokollit, që kryetarin e shtetit të tij në mënyrë indirekte e krahason me një taliban, gazetarët, analistët dhe mediat i quan « legena », » tepsia », « Kadria », « KÇK », ….që  tregon dhe kompromiton funksionin publik dhe politik dhe tregon joseriozitetin e tij ndaj votuesve. Kjo ndodhë vetëm atëherë kur  pushteti merret përmes blerjes, manipulimit dhe dhunimit të votave të qytetarëve, prandaj politika bëhet sovrani dhe  politikanët zgjedhin politikanët, kurse populli duke u manipuluar shëndrrohet në makineri votimi dhe  politika zgjedh sovranin e jo e kundërta. Prandaj kemi fenomene negative të qeverisjes dhe funksionim skandaloz të shtetit duke suspenduar dhe uzurpuar kompetencat  institucionale.

Papërgjegjshmëria e kësaj qeverie shifet edhe me miratimin e « Paketës antishpifje » edhe pse Këshilli i Europës, Parlamenti Europian dhe shumë institucione ndërkombëtare kanë dhënë vërejtjet dhe kritikat e tyre duke konsideruar se ky ligj është në kundërshtim me vlerat elementare të fjalës së lirë, ai u miratua.

Për fat të keq Shqipëria, për të cilën vuajtën aq shumë shqiptarët, jo vetëm të Shqipërisë, u shëndrrua në një shtet të falimentuar, me një ekonomi të shkatërruar, me mafia urbane, para të drogës, politikan të korruptur, shtet i kapur, shtet pa perspektivë nga e cili shpërngulet rinia dhe truri shqiptar, shtet që qeveriset nga oligarkët, shtet pa investime, me borxhe të mëdha……

Prandaj qytetarët duhet mirë të mendojnë  se kujt po ia japin votën, mos të mashtrohen me premtimet boshe të politikanëve të papërgjeqshëm, mos t’a shesin votën sepse ajo përcakton vet fatin e tyre dhe perspektivën e të rinjëve.

       21.12.2019                                                            Skender Musliu, Jurist i dipl.