Vetëvendosja ka shumë gabime.

Psh. ajo nuk duhej të ishte e sinqertë. Nuk duhej të konfliktohej me vjedhësit. Do të ishte dashur të jepte nga pak ryshfet në media, dhe deputetët e saj të hanin e të pinin me analistët. Ta linte çështjen kombëtare. Të mos i kritikonte padrejtësitë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Të mos i kritikonte fort as padrejtësitë nga partitë e tjera. As me Serbinë e Listën e saj të mos konfliktohej shumë. As me oligarkët që punësojnë shumë njerëz dhe zotërojnë mediat. Të mbushej me njerëz që synim kanë karrierën e vet, të hiqte dorë nga aktivizmi. Të kuptonte se s’ka hajër prej njeriut të varfër, i cili nuk e ka as një copë shkollë jashtë vendit sa për cv. Të mos ishte transparente me publikun, të mos tregonte çfarë vërtet ndodh në bisedime e negociata. Të mos i demantonte gënjeshtrat e analistëve dhe politikanëve të tjerë. Të mos kishte njerëz që punojnë me zell vetëmohues pa u korruptuar. Do të ishte mirë ta ndërronte dhe emrin. Të ishte cinike si gjithë të tjerët, ta luante lojën. Të kishte një elitë që të vishte setra e këpucë mode, të shëtitej në lokale mondane, të koleksiononte pushime jashtë vendit. Të mos kishte vija të kuqe.

Shumë shpejt do ishte arritur marrëveshja.

Arbër Zaimi