Në kohën e teknologjisë nuk është dhe aq e lehtë ta drejtosh vëmendjen e fëmijëve te librat, por ja disa mënyra…

1. Lexoni bashkë me ta që të vegjël

U dedikoni pak kohë fëmijëve për t’u lexuar tregime e përralla. Pa dyshim që kjo do t’i ndihmojë t’i vlerësojnë librat dhe do t’i inkurajojë të mësojnë të lexojnë.

2. Mësojini të lexojnë

Kjo është shumë e rëndësishme, por fillimisht duhet bërë përmes lojërave dhe aktiviteteve argëtuese, në mënyrë që t’i përgatisni për njohuritë që do të marrin më vonë në shkollë.

3. Blini shumë libra

Përveç lodrave, blini dhe libra, në mos për ta për veten tuaj, që kur të rriten të kenë mundësi zgjedhjeje se ç’të lexojnë. Prania e librave në shtëpi mund t’i shtyjë të rinjtë drejt letërsisë. Sipas një studimi, të kesh shumë libra në shtëpi është avantazh për mësimin dhe të ardhmen e fëmijëve. Nxiten të lexojnë më shumë.

4. U bëni shumë pyetje rreth librave që kanë lexuar

Përveçse të mësojnë të lexojnë rëndësi ka edhe çfarë lexojnë. Pyetjet rreth titujve që kanë shfletuar është një metodë dhe mënyrë e mirë për t’i ndihmuar të kuptojnë historitë dhe rrjedhën e ngjarjeve.

5. Tregojuni fëmijëve se ju pëlqejnë librat

Nëse doni që fëmijët të tërhiqen drejt leximit nuk ka gjë më të mirë sesa të jepni shembullin perfekt. Lexoni në shtëpi dhe gjatë pushimeve, bëjuni të kuptojnë që është një aktivitet që ju pëlqen, kështu që dhe ata do të tërhiqen.

Nga Elona Qose