Më 1949 Shqipëria ishte vendi më i varfër në Evropë dhe më besnik ndaj liderit sovjetik, Josif Stalin.

ë gjitha shtetet në kufi me Shqipërinë, i kishin raportet e acaruara me BRSS-në. Kështu, CIA dhe SIS (MI6) e bënë planin për ta rrëzuar Enver Hoxhën nga pushteti. Operacioni u quajt “Valuable”.

Për këtë operacion u kontaktuan Mit’hat Frashëri, Sait Kryeziu, Abaz Ermenji dhe Abaz Kupi. Dy të parët udhëhiqnin Komitetin “Shqipnija e Lirë” që u themelua në gusht të vitit 1949 në Paris.

Trajnimet e diversantëve që ishin nga të gjitha trojet etnike shqiptare, nën sekretin më të madh janë bërë në ishullin Gozo të Maltës. Pas ushtrimeve disajavëshe, më 28 tetor 1949 niset grupi i parë. Pastaj vazhduan grupet tjera. Por, shpejtë operacioni u ndërpre pasi dikush nga brenda po i pasonte informatat në Moskë e pastaj Moska në Tiranë.

Informacionet për sulm kishin rënë në duar të agjentit të dyfishtë, Kim Philby. Pasi e lexoi raportin e tij sekret, Stalini ka thënë: “Desantët të asgjësohen para se të zbarkojnë në tokë!”. Urdhri u ekzekutua fjalë për fjalë. Gazetari i mirënjohur australian-anglez, Phillip Knightley, ka qenë i vetmi gazetar perëndimor që ka mundur të intervistojë spiunin e KGB-së në Moskë, në vitin 1988. Në pjesën kur flitet për Shqipërinë, Philby ka thënë: “Luajta rol përcaktues në minimin e planit të hartuar nga Perëndimi për organizimin e një masakre të përgjakshme në Shqipëri. Por, ata që e menduan dhe e planifikuan këtë operacion, gjithashtu, si dhe unë, mundësonin gjakderdhje për qëllime politike. Agjentët, që ata dërguan në Shqipëri, ishin të armatosur dhe të vendosur për të kryer akte sabotimi dhe vrasje. Prandaj, nuk ndjej keqardhje, që ndihmova në asgjësimin e tyre. Ata e dinin se ku po shkonin. Mos harroni se unë kohë më parë gjithashtu u implikova në likuidimin e një numri të konsiderueshëm hitlerianësh, duke dhënë kështu kontributin tim modest në fitoren mbi fashizmin”.

Thuhet se gjatë këtij aksioni janë vrarë të paktën 300 diversantë. Për shumë vite ky ishte një nga sekretet më të mëdha të Luftës së Ftohtë. Detajet e operacionit u zbuluan tek në vitin 1984 kur Lord Nicholas Bethell e botoi librin e tij “Betrayed” (Të tradhtuarit).

Në bazë të këtij libri, BBC e bëri një program dokumentar të titulluar “Great Betrayal” (Tradhtia e Madhe).