Nga Ramana Maharshi

“Çdo njeri kërkon lumturinë, por pjesa më e madhe e tyre ngatërrojnë kënaqësinë me lumturinë. Ku qëndron ndryshimi? Lumturia e vërtetë është e qëndrueshme, ndërsa kënaqësia nuk është. Nëse një person mendon se lumturia e tij varet nga shkaqe të jashtme dhe gjërave që ai zotëron, është e arsyeshme të mendohet se lumturia e këtij njeriu duhet të rritet me shtimin e gjerave nën zotërim dhe të pakësohet në porporcion me bjerrjen e tyre.

Pra, e privuar nga gjërat nën zotërim, lumturia e tij do të jetë asgjë. në gjumin e thellë njeriu është i privuar nga çdolloj zotërimi, përfshi edhe trupin e vet. Prapëseprapë, në vend që të ndjehet i gjorë, ndjehet i lumtur. Të gjithë dëshirojnë të bëjnë gjumë të thellë.

Konkluzioni është se lumturia është diçka e brëndshme në njeriun e nuk u detyrohet shkaqeve të jashtme. Njeriu duhet të realizojë Veten e tij, për të hapur magazinën e lumturisë absolute.

Ndihet lumturi në kundrimin e peisazheve, në muzikën, në poezinë, etj. Është lumturia e brendshme e Vetes. Kjo lumturi nuk është e huaj apo e largët. Je duke u kredhur në të Veten e Pastër, në ato raste që i konsideron të këndshme. Kjo kredhje, vetë- egzistuesja Begati.

Por shoqërimi i ideve është përgjegjës për të projektuar këtë begati mbi gjëra dhe ngjarje të tjera. Në të vërtetë, është brënda teje. Në këto raste je duke u kredhur në Vete, edhe pse në mënyrë të pavetëdijshme. Nëse e bën vetëdijshmërisht, quaje Realizim. Kridhu pra në mënyrë të vetëdijshme në Vete.

Secili e ka përvojën e Vetes në çdo çast të jetës së tij.Është gjëja jonë më intime, dhe megjithatë njerëzit nuk duket se janë të aftë ta kuptojnë. Vetja nuk mund të vihet nën hetim. Hetimi mund të funksionojë vetëm në jo-vete. Eleminimi i jo-vetes është e vetmja gjë e mundur. Mendja është vetëm një projektim i Vetes, që shfaqet në gjëndje zgjimi.

Secili dëshiron ta njohë Veten. Çfarë nevoje kemi të na ndihmojnë për të njohur veten? Njerëzit duan ta shohin Veten si diçka të re. Por ajo është e përjetshme dhe mbetet përgjithmonë kështu. Ata duan ta shohin si një dritë flakëruese , etj. Si mund të jetë kështu? Nuk është dritë, e as errësi. Është thjeshtësisht siç është. Nuk mund të përkufizohet; përkufizimi më i mirë është ‘Unë jam ai që JAM’ . Është vetëm Qënie, por e ndryshme nga realja dhe irrealja; është Dije, por e ndryshme nga e’ dija dhe dija dhe injoranca. Si mund të përkufizohet? Është thjeshtësisht Qënie.

Të gjitha mendimet grafullojnë mbasi grafullon mendimi-‘unë’. Vëreni se për kë grafullojnë mendimet. Në këtë pikë kapërcejini dhe ato do të zhduken. Duke gjetur burimin e mendimit-‘unë’, mund të realizoni ‘Unë’- ‘Unin’ e përkryer. ‘Unë’ është emri i vetes.

Metodat e tjera (si përsëritja e fjalëve, etj.) synohen vetëm prej atyre që nuk arrijnë të përmbushin hetimin e Vetes. Në të gjitha këto nevojitet një ‘agjent’ që mund të kryejë veprimet. Kush është? Është ‘uni’. Bëhu ai ‘Unë’. është metoda e drejtpërdrejtë. Edhe metodat e tjera në fund të çojnë në shqyrtimin e Vetes.

Nga çasti që pika juaj e shikimit zhvendoset kah e jashtmja, keni humbur prej syve Veten dhe vizioni juaj është i jashtëm. Vetja nuk mund të gjendet në gjërat e jashtme. Kthejeni vështrimin tuaj kah e brendshmja e kridhuni në të; do të jeni Vetja. Mendoni ‘unë’ ‘unë’ ‘unë’ dhe mbërthehuni mbas këtij mendimi deri në përjashtimin e gjithë mendimeve të tjerë.”