Falemnderit Kosovë

Nesër në mëngjes do të zgjohem dhe do të merrem me punët e përditshme. Do të merrem me përkthimin e një teksti të filozofisë. Pastaj kam dy takime. Do të shoqëroj mbesën në një aktivitet. Do të lexoj një roman të lënë përgjysmë. Dita do të mbyllet me një darke familjare.


Por, thellë në shpirtin tim, çdo akt do të shoqërohet me një ndjenjë të ngrohtë. Çdo akt i imi i përditshëm do të shoqërohet nga ideja se në një shtet shqiptarësh kryeministër është Albin Kurti dhe ministër i jashtëm Glauk Konjufca. Kjo është një përvojë e mrekullueshme. Cdo gjest i jetës sime është tashmë i projektuar mbi një horizont mençurie institucionale. Pra njerëz të tjerë, po si unë, nuk do të ndjehen më jetimë në punën dhe krijimtarinë shqipe.


Dhe ky institucion ngrihet mbi një frazë të thjeshtë të Glaukut: “Albini është i gatshëm me sakrifiku vetveten, por shokun jo!”. Ky është horizonti i besës. Por nuk mbaron këtu ky horizont. Por ne të tjerët e dimë që Albini nuk mund të shohë të ndashëm postin e kryeparlamentarit prej mbartësit më të denjë të deritanishëm, Glauk Konjufcës. Pra në thelb, Albini nuk tradhton emërtimin më të denjë që ka marrë ndonjëherë funksioni i kryeparlamentarit në vështrimin e shqiptarëve. Më pas Glauku shton se në atë çast tërë pesha e kthjelltësisë i bie atij vetë mbi supe. Dhe kjo peshë, kjo përgjegjësi, është po ajo që mban gjallë ndjenjën dhe besimin e një populli, pra emri i shokut të tij në qeveri: Qeveria Kurti.


Kjo është sublime: secili prej të dyve e sheh tjetrin në përmasën e dinjitetit të lartë e meritor në atë stad sa të sjellë një shenjues të lartë për shtetin e shqiptarëve. Dhe secili ka për mision që ta barazojë shpresën e një populli me shokun e vet. E në këtë çast ne flasim për shokë të një tipi të vetëm: shokë ideje, dijeje, historie.


Ma falni përsëritjen. Por duhet ta vlerësojë sërish këtë akt të paparë nëpër historinë tonë. Ky është sekreti i themelimit të një populli politik. Më së pari sakrifikohet vetja e jo shoku, ngaqë mendohet se shoku është më i denjë për popullin. Më së dyti, mbërrin akti i shokut. Ky e ka mundësinë të mendojë për shumë të tjerë. Pra, deviza është e qartë: mbroje shokun sepse po mbron një popull të tërë. Ndërsa ne kemi parë deri tanimë vetëm tradhti ndaj shokëve, e për pasojë vetëm tradhti ndaj qytetarëve, ndaj njerëzve të kësaj gjuhe.


Horizonti që do të veshi ditët dhe punët e mia të thjeshta këtej e tutje është ai që shpresonim të gjithë: dinjiteti që prodhon politika. Ose, shkurt, horizonti politik.
Falemnderit Kosovë.
Falemnderti Albin,
Falemnderit Glauk.