Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mund të dërgojë një delegacion me ekspertë ndërkombëtarë në Kinë për t’u konsultuar dhe bërë më shumë kërkime rreth koronavirusit.

“Kina ka pranuar ofertën e Shteteve të Bashkuara që të lejojë përfshirjen e një grupi ekspertësh amerikanë në një mision të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kinë për të mësuar më shumë se si të luftohet virusi,” u shpreh një zëdhënës i Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore në SHBA.

Një zëdhënës për OBSH tha se delegacioni mund të shkonte në Kinë që këtë javë “për të punuar me homologët kinezë me synim rritjen e  kuptimit dhe informacionit rreth këtij shpërthimi, në mënyrë që të kemi një përgjigje më të mirë globale”.

Si Kina edhe OBSH kanë rënë dakort për kryerjen e misionit. Zëdhënësi i OBSH nuk e përcaktoi se nga ç’vend tjetër përveç SHBA do të jenë ekspertët, por theksoi se Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) mund të jetë pjesë e tij.

Autoritetet kineze i kishin refuzuar fillimisht ofertat e qeverisë amerikane për të ndihmuar me koronavirusin.