Kur prindërit mendojnë që t’i blejnë fëmijës së tyre një telefon celular, duhet të kenë parasysh se nuk po blejnë vetëm një celular, por një kompjuter dore dhe një kamera të aftë për çdo gjë. Është një vendim madhor, që vjen me shumë përgjegjësi si për prindërit ashtu edhe për fëmijët.

Si ndikojnë telefonat celular në sjellje?

Smartfonët janë një burim i komunikimit të vazhdueshëm. Kjo është edhe diçka e mirë edhe diçka e keqe. Mund ta përdorni telefonin për të kontrolluar vazhdimisht vendodhjen e fëmijës suaj, por nuk duhet ta teproni me këtë.

Një problem tjetër i komunikimit të vazhdueshëm është se fëmijët në këtë mënyrë mund të kontaktojnë me këdo, duke përfshirë dhe persona të huaj, me qëllime të këqija. Edhe pse shumica e fëmijëve mund të dijë se si të tregohet i kujdesshëm me komunikimin online dhe në telefon, mund të ketë dhe përjashtime. Për më tepër, fëmijët mund të mos e marrin dhe aq seriozisht rrezikun në situata të ndryshme.

Telefonat celular ndikojnë dhe në përqendrim dhe vëmendje. Shumë studime e kanë dokumentuar lidhjen mes telefonave celularë dhe vëmendjes e përqendrimit të reduktuar të fëmijëve.

Edhe gjumi i fëmijëve ndikohet nga smartfonët. Shumica e tyre flenë shumë më pak se sa është e rekomanduar. Përkeqësimi i gjumit nga telefoni celular ndodh për dy arsye:

  1. Drita ngjyrë blu e ekranit që e bën trurin të mendojë se është akoma ditë kur nuk është.
  2. Shpesh fëmijët mendojnë se mund të humbasin diçka të rëndësishme nëse bien në gjumë herët dhe e lënë telefonin mënjanë.

Çfarë mund të bëjnë prindërit për të reduktuar përdorimin problematik të telefonave celularë?

  • Flisni me fëmijët tuaj rreth përdorimit të përgjegjshëm të telefonit celular.
  • Tregojuni fëmijëve tuaj se dhe gjërat e qejfit duhet të kenë një kohë të caktuar fillimi dhe një kohë mbarimi. Ndihmojini ata të limitojnë përdorimin e telefonit në kohë të caktuara gjatë ditës.
  • Ofrojini fëmijës suaj aktivitete zëvendësuese. Ndihmojeni atë ta mbushë kohën e tij me aktivitete të tjera kur koha e përdorimit të telefonit mbaron. Mund të jenë aktivitete si leximi, gatimi, sporti etj.
  • Praktikoni atë që thoni. Nëse do të limitoni kohën që fëmija juaj qëndron në telefon, mundohuni ta bëni këtë dhe për veten tuaj nëse keni mundësi.