Shkodër, 20.IV.1965

I dashtun, gjithë këtë kohë e km mendjen tek ti. Më ka dalë gjumi qysh në orën 5:10 të mëngjesit nga një vetëtimë e tmerrshme dhe bubullimë që tronditi gjithë shtëpinë. Menjëherë më shkoi mëndja tek ti. Me se do të niset? Me motoçiklete asht gomarllëk ta mendoj, se s’ke luejtë mënç.

Nga vetëtima neve na u dogj radioja, megjithëse nuk e kishim të ndezur. Gjithë këtë tersllëk shiu e ka prue ai Thimi i pllakave, po ti mos i thuej se na zemërohet burri i botës. Kot nuk të thashë që kur të rrinje, të më baje nji telegram sa të më hiqje merakun.

Ty pa të porositë, nuk të shkon mendja për asgja. Por duhet të kesh arritë mirë se nuk kam asnji parandjenjë të keqe në zemër. Unë sot, skam dalë hiç, korrigjova disa detyra e hartime dhe tashti po merrem me ty.

Sa të due mor fishek, sa nuk di me ta tregue. Ma mirë që takohemi në krye dy tri javëve se kështu të paktën i kuptojmë ndjenjat tona. Ti më qorton se s’të kam shkrue letra, po as ti s’më ke shkrue ma shumë, barazi jemi.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ti më pritnjë se po vi në Tiranë, edhe unë mendoja se po takohem me ty. Po tashti e kemi të qartë të dy, se për tri javë nuk do takohemi kështu që ti shkruajmë njëni – tjetrit pa justifikime të kota.

Janë letrat e fundit e kupton, s’do kemi nevojë ma për letra, se do merremi vesh tue qenë pranë dhe jo nëpërmjet postierit shkodran e tiranas. Veç ndonjëherë kur të grindemi, do pajtohemi me anë letrash. Sot jemi më 20 prill edhe dy muaj e dy javë kanë mbete që të jemi të ndarë.

Edhe 3 herë nga dy tre ditë do të takohemi, mandej… e di vetë ti. Mendon për dasmë, mos mendo shumë me ardhë, dasmë pa mish dhe lekë nuk ka. Ti je fishek, s’mendon fare. Do të bashkohen të gjitha bashkë dhe s’do të dish nga t’ia fillon.

Pa pasaportizimin s’ka emnim pune, prandaj më dërgo fjalë sa më shpejt çfarë duhen si dokumente për lutje dhe mos i lër pas dore. Prilli po mbaron, pra edhe për Xhelalin mos harro, gjej kohë të lirë, se nuk bëhet kiameti.

E di se punë do të kesh shumë por ç’të bajsh. Sot një vjet për 1 maj do më shohësh tue parakalue edhe mue me nxanësit, do më tundësh dorën, mor fishek, do të shkruejsh ma me entuziazëm.

Mjaft porosi të kam dhanë, mbes me shpresë se do ti kryesh o “portret i njeriut të madh”. A ta mban të shkojsh esëll me ble ato që donje ti merrje mbramë në atë dyqanin që pamë. Je një cikë i paturpshëm. Të fala kush të pyesi për mue Të puth fort, jo si tek gjyshja./

Sadija yte.

/MekuliPress.com/ Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress