Amanet un’jam t’u lanë 
Me ruejtë gjanë, me kqyrun sta’n, 
Armët e mbushme mos me i dhanë, 
Me shokë tuej kurr mos m’u xanë, 
Mos m’u xanë, as mos m’u nga 
Pse n’ditë t’gushtë këta u gjinden vlla 
Si me pushkë ashtu me uha. 
T’huejn me fjalë mos ta poshtroni; 
Bukën para, por t’ia shtroni 
N’Shqiptari si a kenë zakoni: 
Me i besue, mos i besoni! 
Edhe n’mend kinje nji fjalë: 
Zemrës s’frytë me i lanun dalë; 
Fjalët për pajë kurr mos me i dalë, 
Ujit turbull mos me i ra, 
Mos me dalun n’va t’pa va; 
Me iu ruejtun shakës turbueme, 
Me iu ruejtë, po, grues së lshueme; 
Vendin tuaj m’e dashtë përore, 
Me ruejtë besë, mos me çartë ndore.

Gjergj Fishta – Kenga e Dymbedhjete (Marash Uci)/MekuliPress.com/

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress