Bashkimi Evropian e ka përshëndetur paralajmërimin e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës mbi importet e lëndës së parë nga Bosnja dhe Serbia, duke e quajtur hap të parë dhe duke thënë se është në pritje të detajeve të reja.

Në deklaratën e zëdhënësit të Shërbimit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri shkruan se ky hap ofron mundësi për vazhdim të dialogut Prishtinë-Beograd, transmeton Koha.net.

“Ky hap mund të ketë efekt pozitiv në kthimin e tregtisë rajonale dhe të ofrojë mundësi për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar prej Bashkimit Evropian”, shkruan në deklaratën e zëdhënësit të Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kurti ka deklaruar të enjten se Kosova do t’i heqë tarifat mbi importet e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja.

“Aq shumë kohë është humbur. Besimi duhet të kthehet urgjentisht. Serbia dhe Kosova duhet ta krijojnë një ambient të përshtatshëm për vazhdimin e dialogut”, shkruan në komunikatë.

“Përfaqësuesi i Lartë/ Nënpresidenti Josep Borrell është i gatshëm për të shërbyer si lehtësues në dialog, në emër të BE-së”.