Shkëlzen Gashi

Për 22 vite rresht masakra e forcave policore sërbe në Likoshan e në Qirez është prezentuar me përplot pasaktësi e ekzagjerime. Këtë masakër e kam hulumtuar themelisht për Muzeun për Krimet e Luftës në Kosovë 1998-1999:

«Më 28 shkurt 1998, në fshatin Likoshan të Drenasit, 35 km larg Prishtinës, katër pjesëtarë të UÇK-së ndeshen në një patrullë policore sërbe dhe fillojnë përleshjen e armatosur. Pjesëtarët e UÇK-së arrijnë të largohen me një të plagosur. Mirëpo, forca të shumta policore sërbe, të armatosura rëndë e me mbështetje ajrore, e vazhdojnë aksionin në fshat. Me këtë rast, forcat sërbe e plagosin një shqiptar të armatosur, të cilin bashkëluftëtarët e tij e strehojnë në familjen Ahmeti, ku edhe ndërron jetë. Më pas forcat sërbe i vrasin edhe dy shqiptarë të armatosur në shtëpinë e familjes Gjeli. Duke kërkuar ‘terroristët’, forcat policore sërbe futen në familjen Ahmeti, i ndajnë gratë e fëmijët, i torturojnë e më pas i ekzekutojnë 11 burra civilë të paarmatosur.
Po më 28 shkurt 1998, në fshatin Qirez, 1 km larg nga Likoshani, forcat policore sërbe në familjen Nebihu i vrasin burrë e grua, pastaj në familjen Sejdiu i vrasin pesë burra, dhe i torturojnë dy kalimtarë të rastit deri në vdekje. Gjatë këtij aksioni në Qirez vritet edhe një shqiptar i armatosur.
Në tërësi, më 28 shkurt 1998, forcat sërbe në Likoshan e në Qirez vranë 20 civilë shqiptarë të paarmatosur, të moshës 17-61 vjeç, 4 shqiptarë të armatosur, torturuan qindra të tjerë dhe plaçkitën para, ari e gjëra të tjera me vlerë. Po ashtu, në këtë aksion u vranë edhe katër policë sërbë. 24 shqiptarët e vrarë u varrosën më 3 mars 1998 në mes të Likoshanit e të Qirezit, ku morën pjesë mijëra qytetarë».