Bariu i vogël dhe Skenderbeu

Kruja kishte ditë që ishte rrethuar. Skënderbeu po vështronte nga mali. Në këte kohë rojet i sollën një djalë të vogë.

-E gjetëm këtu afër, po vinte te ne, – i tha një nga rojat. 
Skënderbeu e pa me vërejtje. Djali mund të ishte dymbëdhjetë vjec.
-Si erdhe deri këtu? -e pyeti Skënderbeu.
-Vij nga Laci (Laqi). Turqit na dogjën fshatin dhe morën gjithë bagetinë,-tha djali.
Skënderbeu i përkëdheli flokët.

Si të quajnë? -i tha.
-Tanush,-u përgjegj djali.
– Mirë, Tanush i vogël. Tani shko të clodhesh.
-Po unë dua të luftoj kundër turqve!-tha Tanushi.
– Clodhu, se edhe ti do të kesh rast të luftosh,-i dha zemër Skënderbeu.
Tanushi u largua i gëzuar.

Ra nata.
Skënderbeu mblodhi komandantët në shatoren e tij e u tha:
– Sonte do t´i sulmojmë të gjithë turqit menjeherë. Dikush duhet të shkojë për të lajmëruar malësorët në anën tjetër.
Te hyrja e shatores dicka lëvizi. Ishte Tanushi i vogël. Ai i doli përpara Skënderbeut e i tha i vendosur: Shkoj unë t´i lajmëroj. I njoh të gjitha shtigjet. Askush nuk do të më diktojë.
Skënderbeu vuri buzën në gaz e tundi kokën në shenjë mospranimi. Por Tanushi nguli këmbë sa e cuditi Skënderbenë.
– Mirë, o trim, nisu! -tha Skënderbeu, por bashkë me të dërgoi dhe një luftëtar tjetër.

Ata u nisën dhe filluan të zvarriteshin nëpër shtigje ku kalonin vetëm dhitë. Zbritën tatëpjetë në një luginë të vogël. Aty vunë re dy ushtarë turq, që rrinin rrëzë një guri. Ata dëgjuan zhurmë dhe kthyen kokën, por nuk panë njeri.
– Do të jetë ndonjë lepur,-tha njëri nga ushtarët dhe mori shenjë e gjuajti te vendi ku u dëgjua zhurma. Shigjeta e gervishi në krah Tanushin, por ai nuk lëvizi. Ata pritën pak, pastaj u larguan. Ateherë Tanushi bashkë me luftëtarin vazhduan rrugën me nxitim. Kaluan pa rrezik edhe një rojë tjetër dhe arritën në vendin e duhur.

Atë natë turqit u goditën në befasi nga të dyja anët. Armiku u shpartallua krejtësisht.
Pas betejës, Skënderbeu e thirri Tanushin dhe i tha:
– Merre këtë hark dhe këtë shigjetë si dhuratë, o trim. Ti luftove njëlloj si ne.

/MekuliPress.com/

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress