“Letër nga malet e Shqipërisë

Një letër-thirrje, e cila është nënshkruar prej Çerçiz Topullit, drejtuar gjithë patriotëve shqiptarë dhe jo vetëm, të cilët duan (brenda kontekstit të kohës) çlirimin e Shqipërisë nga Turqia dhe përparimin e saj. Ndjesi të forta patriotike përcillen prej kësaj letre, e cila përbën një material arkivor dhe publikohet ashtu si është shkruar në origjinal, në shqipen e më shumë se 100 vjetëve më parë. Prapëseprapë, nuk është e vështirë të kuptohet përmbajtja dhe qëllimi i lartë i kësaj letre, e cila përcjell frymëmarrjen e rëndë të Shqipërisë në atë kohë dhe domosdoshmërinë për ndryshim. Vetë fakti që kjo letër, shkruar në malet e jugut të Shqipërisë, i dërgohet shtypit të atëhershëm mediatik në Raguzë, tregon nevojën për përhapje të frymës luftarake ndër shqiptarë.

Komiteti për lirinë e Shqipërisë.

Kryengritja shqipëtare

(Letër nga malet e Shqipëniës)

I nderuar z. Ivanaj,

Drejtor i gazetës “Shpresa e Shqipërisë”, në Ragusa.

Me anën e kësaj letre dua të lajmëroj të gjith vëllezërit patriot shqiptar, miqët t’onë, si edhe të gjith të tjerët që interesohen për çështjen e Shqipërisë, e sidomos të huajtë që janë miqët t’onë: Se unë, me shum shokët e mij (duke lënë shtëpijat, familjet e gjith pasurinë), kemi dalë ndër male, si kryengritës kundra qeveriës barbare-tiranike, për lirinë e Shqipërisë. Duke qenë se qeverija halldupe e Turqisë nukë na epë kurëfare të drejtë dhe aspak liri, as kemi shkolla në gjuhën t’onë, as siguri për jetën e pasuriën e popullit; e n’anën tjetër, qeverija kërkon e i merrë, me pahiri, pagesat e ndryshme të rënda, jo vetëm por edhe duke na grabitur, plaçkitur (me anën e meemurve hajdut), sa s’durohet më dot; pastaj edhe tani po na e kërkon (ma keq e ma me exhele se sa përpara) djelmeriën t’onë, për ta dërgue si ushtar n’Anadollë e gjetkë, – neve të mërzitur e revoltuar shum, dolme, me pushkë në dorë nëpër male për të kërkuar: liri, drejtësi, gjutetërim e përparim të përgjithshim, gjëra këto që i ka gjith Bota përveç neve… as që do t’i kemi asnje nga këto deri që t’e fitojmë lirinë duke e dbuar Turqinë e kalbur nga mëmëdheu ynë i dashur. Dhe jo vetëm që është e tillë, shumë e keqe gjendja në Shqipëri dhe, përgjithësisht, në Ballkane që janë akoma nën robërinë e Turqisë, por se e tillë (mos më e keqe) është gjendja edhe në Stambollë, mbrenda gjytetit, ku ka me mijra spiun e hajdut, të cillet – me emër të Sulltanit gjakatar – grabisin njerzinë dhe pastaj i burgosin kot, shpeshëherë, vetëm për t’i plaçkitur, pastaj, shum nga këta, edhe i vrasin. Kështu edhe tregëtart, zanatlitë, e sidomos pasanikët (pronart e tjerët) e kanë ka nji qehaja mbi krye, gjoja si kontrollë për gjerra politike, por se, fundi i fundit, është për të plaçkitur, sepse u marrin taksa të rënda, sidomos tregëtarve e pasanikve, shumë kjo që vete deri në 1 000 lira turke në vitë. Dhe këto para, pastaj i dajnë me meemurtë e lartë të qeveriës e me ata që e rrethojnë Sulltanin…

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Gjithashtu, shpeshëherë dërgohen kësi çetash (hajdutë zyrtar me çizme) edhe nëpër vilajete të ndryshme të Turqiës, si edhe në Shqipëri, për të plaçkitur botën, duke thënë: Sulltani, Veziri, a se filan Pasha, ka urdhëruar për të mbledhur para, shumë para, që lypsen për punra e nevoja të Dauletit, që juve si dini as lypset që t’i dini; prandaj epni kaq e kaq para… Kështu, nëpunësit e vegjël të zyrave qeveritare as paguhen nga arka e Shtetit, po ia marrin popullit, me pahiri, këto pagesa, para për jetesë, çka qeverija lejon… as mund të çfaqen plotërisht padrejtësirat e ndodhirat e panjerzishme që ndodhin në Turqi… Dhe prandaj një pjesë e mirë e djelmëriës shqiptare e ka sosur: për të lëvizur e për t’u përpjekur – me armë në dorë – për t’i fituar të drejtat t’ona të shenjta bashkë me liriën. Kta sidomos, mbasi që vetëm neve shqipëtart nuk i kemi të drejtat t’ona, asfare: si shkollat në gjuhën shqipe, shërbimin ushtarak mbërnda kufijve të Shqipërisë; etj… E, n’anën tjetër, shkollat u epen grekërve, bullgarëve, sërbëve, rumunve, arapëve, sirianëve etj… Dhe pse? Sepse vetëm nga gjytetrimi e përparimi i shqiptarëve ka frigë Turqija!…

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Qe këto dhe shum të tjera janë shkaket që na shtërnguanë të dalim maleve: për liri e për shpetimin e Shqipërisë e të popullit shqiptar. Prandaj, duke iu sjellur vëllezërve shqiptar e të gjith miqve, u thomi: Se s’ka gjë më e ëmbël në jetë se sa përpjekja dhe lufta për liri të Mëmëdheut. Dhe vetëm lirija është sharti dhe ilaçi për t’u ringjallë Shqipërija. Duke shpresuar – me ndimën e Perendisë dhe të Besës shqiptare, të lidhur në mes të Parisë atëdhetare e të djelmerisë shqiptare luftëtare, – se deri sot nji vjetë, do t’e çlirojmë Mëmëdheun nga robërija e Turqisë, neve (me anën e kësaj letre-thirrje) i apelohena të gjith shqipëtarve patriot të Shqipërisë së Jugut, si asajë të Veriut, që të lidhen me neve, me Besa-Besën për çlirimin e Shqipërisë. Po, sido që të jenë, neve jemi duke u betuar, se deri që mos të çlirohet Shqipërija – mos me i ulur armet, po me qindrue në Fushë të Nderit, duke luftuar për vdekje a liri… Gjithashtu jemi duke i grishur të gjith shqiptart: shkrimtar, vjershtor, e sidomos gazetart patriot që gjenden përjashta: që t’e lajmërojnë Botën e lirë e të gjytetëruar, se Shqipërija u lëkundë dhe u zgjue nga gjumi i rëndë i robërisë së gjatë, dhe se – në ditën e Shën-Gjergjit (që e festojnë të gjith shqiptart, të krishterë dhe musliman) të k. v. do të pëlcasin kryengritja e përgjithshme për lirinë e Shqipërisë, që do të përhapet nga kufijt e Greqisë deri në Mal të Zi, dhe nga Selaniku deri në kufijt e Sërbisë… Ky grishim – lajmërim, bëhet n’emër të 3 000 kryengritësve luftëtar të betuar: për Shqipërinë! Dhe duke dhënë besën, se do të qindrojnë burrërisht deri që të ia arritim qëllimit, që është shpëtimi i Shqipëriës nga robërija, terrija dhe mbrapsija e përgjithshme; – dhe për ta ndritur Dielli i Lirisë.

Rroftë rivolucioni për lirinë dhe fatëbardhësinë e Shqipërisë!

Nga malet e Shqipërisë së Jugut

…1907

Për komitetin kryengritës

Komiteti për lirinë e Shqipërisë

Çerçiz Topulli/MekuliPress.com/

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress