MekuliPress ju sjellë fjalën e Petro Nini Luarasit nga Kongresi i Dytë i Manastirit në vitin 1910. Petro Nini Luarasi ishte përfaqësues i shoqërisë “Lidhja orthodhokse” dhe i fshatrave te Negovanit e Ballkamenit.

Ja fjala e patriotit:

“Me tu shfaqur librat shqip në kohë të tiranisë, sa shqiptarë orthodhoksë që kishin ndjerë mungimin editurisë, si të uritur fort i pushtuan shkronjat tona dhe me çdo mënyrë, pa vënë re çdo therrori që do të na rëndonte nisën të nginjeshin me mësimin e gjuhës sonë duke u gëzuar për diturinë shqipe më shumë nga vëllezërit tanë shqiptarë katolikë; se këta , nën urdhër feje të Shenjtërisë së tij Atit Papë, kishin dhe kanë liri të mjaftë për të lëçitur diturinë në gjuhën shqipe. Tek ne kleri grek, jo vetëm na mundon dhe na ndalon me mallkime, por edhe përdor çdo farë mënyre për të na sprapsur nga shkrimi dhe mësimi shqip.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Si të uritur, pra, që kanë qenë Orthodhoksët shqiptarë për shkrimin shqip, shtatuan shoqërira në Bukuresht e Sofje dhe kudo ku gjenin mbrojtje e liri. Tani nën liri konstitucionale shtatuan shoqërinë ‘’Lidhja Orthodhokse e Shqiptarëve” me qendrën në qytet të Korçës për t’u mbaruar nga orthodhoksia elinishte e grekërve dhe ne pandehmë se Qeveria do të na çmonjë punën tonë, do të na japë liri, të drejta dhe siguri nderi e jete….Ju lutem zotërinj, vëllezërve tanë, bashkëkombësve myslymanë dhe katolikë, a dotë mos vuajnë keq kur tëshohin që një pjesë e trupit shqiptar po vuan dhe humbet për qejf të klerit grek?!

Andaj si anëtar i ‘’Lidhjes Orthodhokse të Shqiptarëve” u lutem së nderçmes qeveri si dhe të shumëvlyerit Kongres të sotmë që të veprojnë ku duhet për të drejtat e “Lidhjes Orthodokse të Shqiptarëve” e cila veç qeverisë konstitucionale dhe mëmëdhethit të dashur tjetër mbështetje s’ka. Rroftë Shqipëria! Rrofshin Shqiptarët!”

(P. Raullasi, Shqiptarët orthodhoksë dhe rregjimi i sotëm Lirija, Selanik 1910, v.2, nr.81, f.1-2) Sqarim; P. Raullasi ishte pseudoni i Petro Nini Luarasit. /MekuliPress.com/

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress