Sead Zimeri
Absolutisht po. Disa herë ne bëjmë zhurmë pa nevojë, dhe i mbi-interpretojmë veprimet që në çdo rast tjetër do të ishin dhe shiheshin si ngjarje të zakonshme.
Nuk është ndonjë lajm i madh që Sërbia është armiku më i madh i pavarësisë së Kosovës, dhe ajo po bën përpjekje gjithandej me e thy pavarësinë dhe republikën e Kosovës.
Nuk besoj që ka shqiptarë në Kosovë apo jashtë saj që nuk e dinë këtë fakt, apo që pretendojnë se nuk është i rëndësishëm. Aq më pak mund të pretendohet që kryeministri në detyrë Kurti nuk i di apo nuk e kupton rëndësinë politike të këtij fakti.
Por në raste të jashtëzakonshme si kjo e korona virusit, ku marrëdhëniet njerëzore duhet të vijnë para atyre politike, ku humaniteti dhe njerzillëku e jo politika dhe interesi duhet të strukturojnë dhe rregullojnë marrëdhëniet me njëri tjetrin, aftësia për të u ngritur mbi lokalizma, mbi privincializma, mbi inate dhe politika inatçore, është ngritja ma e madhe që i bën njeriu vetes.
Në kushte të këtilla ngrihet njeriu si njeri, i tregon tjetrit që pavarësisht armiqësive që kemi, pavarësisht luftërave që kemi bërë, pavarësisht përpjekjeve që jemi duke i bërë për ta stereotipizuar njëri tjetrin, dhe mbi të gjitha, pavarësisht përpjekjeve të Sërbisë për ta dominuar Kosovën, në raste të veçanta të dy popujt dinë edhe të ngrihen mbi konfliktet e tyre dhe ta shohin njëri tjetrin në aspektin njerëzor.
Tani mund të thuhet që ky suspendim i politikës është politikë përmes humanizmit. Pa dyshim që është. Por nuk është vetëm nga Serbia. Nuk është vetëm Serbia që po bën politikë me humanizëm. Edhe pranimi i testeve nga qeveria Kurti është politikë me humanizëm. Dhe, unë ndjehem mjaftë i kënaqur me këtë vendim të kryeministrit në detyrë Kurti, me këtë politikë tē humanizmit.
Paramendoni tani sikur Kurti të refuzonte ndihmën. Si do të reflektohej kjo në botë? Që kosovarët e varfër e në nevojë të madhe për ndihma po refuzojnë ndihmat që ua jep fqinji i tyre? Pse? Me çfarë logjike mund të refuzohet një ndihmë e tillë? Botës nuk i intereson se ti ke konflikt me Serbinë. Ajo e sheh gjestin e refuzimit si gjest anti-njerëzor, si gjest arrogant, si refuzim i kapjes së mundësisë për të ndreçur marrëdhëniet, për t’iu afruar njëri tjetrit. Dialogu politik ka nevojë të shoqërohet edhe me përmirësimin e marrëdhënieve njerëzore mes njëri tjetrit.
Refuzimi i Kosovës do të shihej si gjest i izolimit nacionalist, si ekstremizëm politik i pakuptimtë, si shprehje e vullnetit armiqësor që nuk mundet apo nuk don të ketë kurrfarë marrëdhënie njerëzore me Serbinë.
Bota e lavdëroi Sërbinë për ndihmën e saj. Fitoi mirënjohje ndërkombëtare. Shumë mirë. Sërbia fitoi mirënjohje për punën e saj humanitare: por kjo nuk do të thotë që tani bota i mbyll sytë dhe nuk i intereson më aspak drejtësia për kosovarët.
Nuk e kuptoj pse kaq pak besim kemi në veten tonë dhe në politikat ndërkombëtare. Ne jemi të prirur që çdo fitore të Sërbisë ta shohim si humbje apo edhe kërcënim për neve. Por nuk është ashtu dhe, fatmirësisht, politika nuk funksionon ashtu.
Ne nuk mund ta kundërshtojmë kryeministrin në detyrë për një nga veprimet më të mençura të tij në pushtet. Sikur ai të refuzonte ndihmën, krejt bota do ta kundershtonte Kurtin, dhe do ta nxirrre atë si politikan ekstremist që as dorën e humanitetit nuk e pranon. Ky do të ishte një skandal me përmasa ndërkombëtare për Kosovën.
Ndoshta edhe Sërbia pikërisht ka besuar dhe ka pritur që Kosova do ta refuzojë ndihmën e kështu do të paraqitet në sytë e botës si një shtet skandaloz e i turpshëm. Ashtu Sërbia do të fitonte dhjetëfishin e simpatisë që ka fituar sot, kurse Kosova do të demonizohej e do të portretizohej tamam ashtu siç po mundohet ta portretizojë Sërbia.
Edhe nëse Sërbia ka pasur qëllime tjera, ato nuk janë të rëndësishme kur ato paketohen si ndihmë humanitare. Bota e sheh ndihmën jo motivin e ndihmës. Dhe pranimi i ndihmës si të të tillë, nuk e ka humanizuar vetëm Sërbinë por edhe Kosovën. Kosova i tregoi botës që ajo nuk e urren popullin sërb por dëshiron marrëdhënie të mira dhe reciproke me të.