Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar sot rreth lirisë së medias në Shqipëri duke dalë me një deklaratë të posaçme:

Përkeqësimi në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve vjetore të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, është i papranueshëm dhe kërkon një përgjigje dhe reagim të menjëhershëm nga të gjithë.

Mbështes plotësisht paralajmërimin e “Reporterëve pa Kufij” se e ashtuquajtura paketë “anti-shpifje” do ta përkeqësojë më keq situatën në të cilën ndodhet sot media dhe gazetarët në Shqipëri.
I bëj edhe njëherë thirrje qeverisë të tërhiqet dhe të rishikojë paketën e ligjeve të miratuara, që siç tërheq vëmendjen organizata botërore e gazetarëve, dhe ashtu siç kam paralajmëruar:
– Shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik;
– Shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit;
– Është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;
– Shkel standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut, shtyllë e pazëvendësueshme për një shoqëri moderne demokratike, dhe tepër jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.
Shqetësimi i “Reporterëve pa Kufij” se përdorimi i fatkeqësisë së tërmetit, dhe të pasojave të rënda që ka sjellë pandemia COVID-19 nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medias, kërkon reflektim serioz dhe të përgjegjshëm.

Me ketë rast, shpreh mirënjohjen e thellë dhe solidaritetin e plotë për punën e shkëlqyer heroike të mediave, gazetarëve dhe stafeve të tyre mbështetëse nga vija e parë e raportimit, në shërbim të informimit publik, transparencës dhe mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari, si dhe përsëris thirrjen për të mos i braktisur në këto momente tepër të vështira!

Duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjithë gazetarët, veçanërisht ata të cenuar në misionin e tyre në shërbim të lirisë, të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të të gjithë sistemit tonë demokratik, theksoj se regresi në drejtim të lirisë dhe pavarësisë së medias është i papranueshëm dhe tepër i dëmshëm për vendin tonë, aspirant për anëtar të Bashkimit Europian.