Sead Zimeri

Zhgënjimi është pjesë normale e jetës dhe ndodh zakonisht kur e standardi vlerësues dhe pritshmëritë për ndonjë vepër apo performancë janë më të larta sesa del të jetë rezultati përfundimtar.

Kur pritshmëritë nuk plotësohen pason zhgënjimi. Si qenie racionale që jemi, pas çdo zhgënjimi duhet shtruar pyetjen: a ishin realistike pritshmëritë e mia? Ka gjasa që pritshmëritë qëndrojnë në shpërputhje të plotë me kushtet reale që mundësojnë një performancë. Në rast se pritshmëria jonë ka qenë e pashpresë apo realizimi i saj i pamundshëm atëherë duhet fajësuar veten që nuk bëmë gjykime të matura dhe proporcionale me rrethanat ku diçka pritet të ndodhë.

E nëse zhgënjimi pason si rrjedhojë e pritshmërive krejt të ulta e modeste, atëherë situata është edhe më e pashpresë sesa gjykimi ynë për të.

Unë jam shumë i zhgënjyer me performancën e partive politike në Kosovë, dhe me performancën e presidentit të Kosovës. Por a është zhgënjimi im i arsyeshëm? A mos gabova në gjykim? Mos kisha një standard dhe pritshmëri më të madhe se ishte e mundshme në Kosovë?

Përgjigja ime është negative. Pritshmëritë e mia ishin krejt modeste dhe plotësisht të realizueshme. Unë pritja që kryeministri Kurti ta ulë një përqindje sado të vogël të kurrupsionit, ta përmirësojë imazhin e Kosovës si vend ku nuk zbatohet dhe respektohet ligji dhe ku investitorëve të huaj u kërkohet ryshfet për të punuar në Kosovë, dhe që dialogun me Serbinë do ta udhëheq vetë kryeministri. Dhe pritja që të tjerët ta respektojnë vullnetin demokratik duke i dhënë mundësinë kryemiistrit Kurti ta kryejë detyrën e tij. Pritshmëri absolutisht modeste. Nuk ka mundësi me i ulur më shumë se kaq. E megjithatë u zhgënjeva. Dhe ky zhgënjim më duket më fatal sesa sikur të isha zhgënjyer nga pritshmëri të larta.

Ndërkohë bërë një gabim në gjykim: e shpërfilla të vërtetën kryesore të politikës në Kosovë. Kosova nuk është demokraci. Ajo ka institucione formale të demokracisë por ato janë pa përmbajtje demokratike. Demokracia e Kosovës është si gjykatat e Stalinit të viteve të 30-ta që ishin gjykata show dhe përdoreshin për t’i likuiduar oponentët kryesisht trotskist të Stalinit. Stalini kryente detyrën e tij, nuk i pushkatonte pa i çuar në gjyq dhe pa i dënuar gjykata, por dalja para gjykatës nuk garantonte zbatim të drejtësisë por zbatim të urdhërit të Stalinit dhe të partisë. Formaliteti i procedurës ligjore të gjykatës respektohej por fajësia e të akuzuarit nuk diskutohej. Kur partia denonconte dikë ai më vetëm ishte i gjykuar por që të mos duket se partia nuk respektonte formalitetin e pavarësisë së gjykatës e çonin në gjykatë për t’ia lexuar aktvendimin publikisht. Kështu Stalini pretendonte që duart i kishte të pastërta dhe populli ruante iluzionin se Stalini është burrë i mirë që kujdeset për popullin dhe e respekton ligjin, kurse tradhtarët meritonin dënimin që ua jepte gjyqi.

Demokracia nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë e plotë në një kulturë jodemkratike. Institucionet demokratike pa kulturë demokratike dhe pa demokratë që udhëheqin proceset demokratike shndërrohen në maska për pushtetarët. Dhe janë maska të rrezikshme sepse u japin legjitimitet demokratik atyre që nuk besojnë dhe nuk e kanë vlerë demokracinë. Ata e përdorin demokracinë por nuk mund ta prodhojnë atë. Krahaso këtë me institucionet shkencore pa kulturë shkencore dhe pa shkenctarë. Institucione të mbushura me demagogë dhe injorantë të llojllojshëm. Ato janë aty si formalitet por veç shkencë nuk prodhojnë.

Demokracia pa kulturë demokratike kalon në servilizëm ndaj dikujt më të fuqishëm dhe në shkelje pa kurrfarë përgjegjësise të vullnetit që është formuar gjatë zgjedhjeve. Demokracia pa kulturë demokratike nuk mund të funksionojë në mënyrë demokratike sepse kusht i funksioninit demokratik të demokracisë është vetëqeverisja, apo vetëvendosja. Ai që qeverisë duhet të besojë që ai ka vullnet dhe arsye të lirë, që është qenie autonome dhe që autonominë apo sovranitetin mbi veten e ka vlerën më të lartë të tij sepse pa të ai ska vlerë në vetvete e pa vlerë të tillë ai nuk mund ta vlerësojë tjetrin, dhe nuk mundet të krijojë raport barazie me tjetrin. Demokracia pra kërkon vullnet sovran, njerëz që janë veprues dhe zbatues të vullnetit të tyre. Kjo është baza e demokracisë: liria dhe sovraniteti i individit. Pa liri të tillë demokracia bëhet farsë.

Demokracia pa një besim të këtillë nuk funksionon. Vullneti i pavarur që është bazë e çdo qeverisje demokratike mungon në partitë politike në Kosovë. Ata mund të thonë të kundërtën por në momentin që ata shkelin vullnetin e popullit që i ka votuar ata më nuk kanë vullnet të tyre.

Kjo mungesë e vullnetit reflektohet se si ata i nënshtrohen Amerikës. Amerika për ta është Zot. Sikur që para Zotit shprehja e ndonjë vullneti të pavarur është blasfemi, aq më tepër kur ky vullnet shkon kundër ndonjë vendimi të Zotit, po ashtu edhe mënyra e sjelljes së politikanëve kosovarë karshi amerikanëve është si ajo e besimtarit përballë Zotit. Nënshtrim i plotë para tij, mohim i vetes dhe autonomisë për të marrë vendime vetë. Nuk ka vetëqeverisje para Zotit. E as demokraci jo, sepse demokracia është mënyrë e rregullimit të vetëqeverisjes.

Amerika është Zoti i partive politike kosovare dhe intelektualëve të tyre. Nuk e kanë aspak problem t’i nënshtrohen plotësisht asaj sepse vetja e tyre nuk është demokratike por autoritare, që varësisht fuqisë së tjetrit edhe merr formën e saj: karshi të fuqishmit është plotësisht servil e karshi të pafuqishmit vepron si tiran. Ky është botëkuptimi i tyre politik. Ata nuk mund të shohim më larg se u lejon botëkuptimi i tyre. E një botëkuptim politik pa autonomi të vetes, pa respekt për veten dhe mendimin e vet, ai nuk mund ta shohë veten ndonjëherë të shprehë pavarësi në gjykim dhe veprim përballë Zotit të tij sikur që nuk mund ta lejojë atë që ska pushtet të veprojë si qenie e lirë.

Rrënjët e personalitetit autoritar i gjen në kulturën tonë që është thellësisht autoritare. Ai që ka pak pushtet më të madh se tjetri kujton se në raport me atë që ka më pak pushtet është autoritet absolut. Nuk ka shkëmbim mendimesh, bisedime të hapura me autoritetin për ndonjë ide të tij. Kjo ngase autoriteti nuk e lejon këtë.

Burri shqiptar, për shembull, nuk e pranon gruan e pavarur sepse ai nuk e pranon pavarësinë (autonominë, vetëqeverisjen) as si ideal as si fakticitet. Por e sheh si veprim të shëmtuar, si sfidim të autoritetit të tij, si diçka që ka dalë jashtë kontrollit të tij, e që duhet medoemos të detyrohet të hyjë nën kontrollin e tij duke mos kursyer asnjë masë ndëshkuese. Një burrë shqiptar nuk e toleron pavarësinë e gruas sepse ai vetë nuk është i pavarur. Ai që nuk është i pavarur, qenie autonome, ai nuk mund ta pranojë atë që e konsideron inferiore të pavarësohet prej tij dhe të bëhet e barabartë me të. Liria dhe barazia janë koncepte të huaja për të.

Politikanët janë pasqyrim e kësaj mendësie kulturore. Ata nuk zbritën nga qielli por i prodhoi kultura jonë jodemokratike. Diskursi politik i të gjitha partitë që u bënë bashkë ta rrëzojnë qeverinë Kurti ishte diskurs autoritar, jodemokratik. Gra e burra u ngritën për ta mohuar veten, sepse një autoritet më i lartë ka diktuar që ata nuk kanë dhe nuk mund të veprojnë sipas vullnetit të tyre. Me të drejtë, sepse ata nuk kanë vullnet të vetin. Madje kur u përmend diçka për autonominë tonë si njerëz, për respektimin e demokracisë, për të drejtën për të jetuar të lirë, tallen me këto koncepte dhe me ata që luftojnë për to. I konsiderojnë jashtëtokësore. Dhe argumenti normativ me të cilin debatojnë është vetëm një fjalë: Amerika. Amerika funksionon tamam si Zoti në diskursin fetar: sa të përmendet Zoti çdo diskutim mbaron. Por fetë nuk pretendojnë të jenë demokratike, ndonëse intelekti kërkon që sa të përmendet Zoti pikërisht aty duhet fë fillojë e jo të mbyllet debati.

Por në demokraci nuk mund të jetë kështu. Aty shkëmbimi i ideve, diskutimi i tyre përmes arsyes publike, formimi dhe respektimi i vullnetit të përgjithshëm janë të domosdoshme për funksionimin e demokracisë. Por kultura autoritare nuk e njeh dialogun sepse dialogu presupozon barazinë, një lloj barazie morale që autoritarizmi kategorikisht e mohon. Para autoritetit duhet të dalësh i përkulyr për t’i pranuar urdhërat dhe diktatet e jo për të debatuar me të.

Kjo strukturë autoritare u shfaq edhe në rrëzimin e qeverisë Kurti. Pasi që administrata amerikane u kish diktuar që Kurti nuk është personi që duhet t’i prijë dialogut, ata menjëherë fillojnë mocionin e mosbesimit dhe rrëzimit të tij. Nuk ka pra as rezistencë, as kritikë, as kërkesë për t’i dhënë demokracisë dhe Kurtit shancën që të ndryshojë, por ende pa i bërë dy muaj të plotë, një periudhë kohore që nuk është e mjaftueshme as për t’u familiarizuar me kontekstin qeverisës, ata fillojnë procesin e rrëzimit të tij. Kjo ngaqë ata nuk mund ta shohin veten si moralisht të barabartë me Amerikën. Nuk mund të bisedojnë dhe të shkëmbejnë ide me të. Ata veprojnë vetëm në ekstrem: mohim i plotë i qenies së tyre. Flasin për partneritet por si demokracia e tyre edhe partneriteti është hierarkal, autoritativ, shfrytëzues e jo bashkëpunues. Shtypjen e kuptojnë vetëm si materializim i ushtrimit të dhunës fizike. Pasi që administrata amerikane ua bën të ditur që kryemininstri nuk do t’i prijë dialogut e vetmja mundësi mbetet shkarkimi i tij. Asnjë arsye tjetër më nuk çon peshë.

Kryeministri Kurti u rrëzua sepse ai nuk iu nënshtrua administratës amerikane si këta të tjerët. Me këtë kryeministri tregoi që ai ishte demokrati i vetëm në një kontekst autoritar. Kurti e mori seriozisht demokracinë dhe vullnetin demokratik. Kjo mbase ishte edhe gabimi i tij. Në një vend pa kulturë demokratike qeverisja demokratike është sfida më e madhe që mund ta kaplojë atë vend. Në një kuptim Kurti ishte i parakohshëm, sepse nuk mund të jesh demokrat në një mes ku askush nuk beson në demokraci. Në një kuptim tjetër ai është shumë i vonshëm: gjenealogjia e tij ideore është në Rilindjen Kombëtare që luftonte për çlirimin/themelimin e shtetit nga Perandoria Osmane dhe nga feudalizmit. Asnjëra dhe as tjetra nuk janë arritur në Kosovë plotësisht. Prandaj lufta duhet të vazhdojë. Lufta e Albin Kurtit është jashtëzakonisht e domosdoshme, e pashmangshme dhe duhet të bëhet fati jonë sepse pa luftë për demokraci, për demokratizimin e kulturës nuk mund të shpresojmë në vetëqeverisje demokratike. Pa demokratizimin e shoqërisë nuk ka as liri as vetëvendosje.

Disa po mendjnë që lirinë dhe demokracinë mund të na e falë Amerika. Por Amerika ka luftuar për lirinë e vet, me luftë dhe me politikë. Varja e shpresave tona në mënyrë parazite në Amerikë jo vetëm që po tregon se ne nuk jemi të lirë, por që ende nuk e kemi kuptuar që lirinë duhet ta fitojmë dhe ta mbrojmë vetë, e të tjerët do të na ndihmojnë në atë rrugëtim, por ata nuk mund të na bëjnë të lirë; nuk mund të na bëjnë demokratë e as feministë. Të tillë duhet të bëhemi vetë, përmes luftës sonë për liri. Pa luftë (struggle) ska as liri. Dhe duhet të bëhemi të tillë sepse ato janë forma të konkretizimit të lirisë të pranueshme sot. Në shekullin 21 nuk ka asnjë kuptim të luftosh kundër tyre. Vetëdija për lirinë që kemi sot tajkalon shumëfish atë të shekujve të mëparshëm prandaj nuk mund të ndalemi apo të ndryshojmë kahje. Ky është përcaktimi i kuptimit të lirisë pozitive. I lirë duhet të bëhesh vetë. Atë duhet ta praktikosh në jetën private dhe publike, në shtëpi dhe në shesh, në shkollë dhe në kuvend. Nuk pjestohet liria: nuk mundesh të jesh i lirë, në kuptimin positiv rë saj, në shtepi por tiran në kuvend. Ska logjikë kjo ndarje e këtillë. Nuk mundesh të jesh feminist, që do të thotë të kërkosh pavarësinë vendimmarrëse të gruas karshi burrit, por njëkohësisht të kërkosh heqjen pavarësie së saj ndaj një autoriteti tjetër. Këto janë kontradikta që duhet zgjidhur sepse na pengojnë të bëhemi të lirë, ta realizojmë qenien tonë si njeri.