Publicisti dhe intelektuali Veton Surroi e sheh kryeministrin Edi Rama si një “provokator” estetik, por kurrsesi si një burrë shteti.

I ftuar në emisionin “A Show”, Surroi ka shprehur idenë se në çështje të shtetiforimimit kryeministri shqiptar nuk mund të thuhet se ka “shkëlqyer”, ndryshe nga estetika që ka sjellë në vend, shkruan MekuliPress.com

“Unë mendoj saktësisht ashtu. Shqipëria ka pasur një evoluim estetik, një urbanizim të theksuar, një lloj hapje ndaj frymëve të botës. Një nga personat përgjegjës për këtë është dhe kryeministri Rama. Më ka rezultuar një provokim estetik dhe kjo ka vënë në lëvizje një gjeneratë të re që është rritur me provokimin estetik dhe kjo është shumë mirë”, – tha ai.

Sipas Surroi, rreshtimi i Ramës tek ata pushtetarë që janë pro idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë, është një vendim i gabuar.

“Kryeministri i Shqipërisë një burrë shteti? Pyetje me vend, e cila vështirë se do të marrë përgjigje. Provokatori estetik është më i fortë në sjelljen e tij se sa vendosja e parimeve të burrështetësisë. Këtu janë dy problemet që dua t’i shoh. Kryeministri i tanishëm ka bërë një gabim duke u rreshtuar me një ide krejtësisht të gabuar e cila nuk ka as origjinë dhe as interes ndër shqiptar, ky është këmbimi i territoreve”, – u shpreh Surroi. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress