Pas më shumë se 10 vitesh, akademiku i njohur Rexhep Qosja vjen në Tiranë dhe promovon librin e tij më të fundit. “Shqipëria dhe Kosova – si janë e si do të duhej të jenë”, titullohet botimi i fundit i profesor Qoses, një reminishencë e titullit të veprës studimore të Sami Frashërit 113 vite më parë, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.
Për një emër si akademiku Qosja nuk është habi që salla e Muzeut Historik Kombëtar për promovimin e librit do të rezultonte tejet e vogël. Përveç emrave të njohur të letrave, si dhe gazetarëve, nuk mungonin admiruesit e tij, shumica e të cilëve qëndronin në këmbë.

“Në këtë libër parakalojnë personazhe me shumë faje mbi supe”,- thotë historiani Pëllumb Xhufi. Ndërsa historiani tjetër Paskal Milo mendon se me këtë libër, Rexhep Qosja tregon se nuk thjesht studiues, historian, letrar, por është kolos i mendimit shqiptar.

… Më pas, Rexhep Qosja mban fjalën e rastit në promovimin e krijimit të vet.
21 janari famëkeq ishte shtysa për shkrimin e këtij libri, që jo më kot hapet me kapitullin: Shteti vrasës.

Qosja foli për pakënaqësinë, zhgënjimin, revoltën për atë që e quan “pushtetin e dhunshëm në Shqipëri”, që nis që nga gjuha e përdorur.
Sado hidhur të vijë, ka të vërteta që na përplasen në fytyrë. Ndërsa hulumtonte në arkiva, profesor Qosja hasi në një thënie të një studiuesi të huaj: “Shqiptarët janë vrarë më shumë mes veti sesa nga të huajt”.

Nuk mund të ngelet jashtë vëmendjes së akademikut iniciativa për rishikimin e gjuhës standarde shqipe. “Mund të bëhen diskutime për përmirësime aty ku ka vend e aty ku është e nevojshme për gjuhën letrare kombëtare. Por mendoj se këto diskutime, të cilat kanë disa vjet që kanë filluar, kanë një frymëzim tjetër. Po kërkohet që përjashtimet që i kanë bërë autorët e drejtshkrimit të bëhen rregulla, por nuk bëhen përjashtimet rregulla.

Gjuha standarde është një prej fitoreve më të mëdha kulturore dhe, të themi, politike e popullit shqiptar. Kjo është historike”.