Dokumentari i Marin Memës, i shfaqur mbrëmë, me titullin “Ku shkoi pasuria e shqiptarëve”, ka vlera për të kuptuar në vija të përgjithshme shkatërrimin e qëllimshëm të ekonomisë shqiptare gjatë viteve 1990, përmes “terapisë së shokut” me privatizime brutale e pa plan dhe vjedhjeve masive. Mirëpo, nuk duhet të mbetemi vetëm te historia. Modeli i egër i (mos)zhvillimit nuk ka ndryshuar aq shumë prej atëherë. Nuk jemi në tranzicion, jemi nën të njëjtin sistem neoliberal që u rrënjosë në atë kohë. Historia nuk ka vlerë të mësohet si narrativë, pa nxjerr mësime prej saj për të tashmen.

Prandaj pyetjet që duhen shtruar janë se cilat interesa e mbajnë peng sot e kësaj dite zhvillimin e prodhimit dhe punësimit në Shqipëri, prej bujqësisë e deri te industria e rëndë. Pse kemi ende një ekonomi të varuar nga importet? Pse nuk kemi një model ristrukturimi të ekonomisë drejt shtetit zhvillimor? Kush i zotëron sot pasuritë kombëtare? Kush fiton sot nga humbjet e mëdha të mosorientimit të ekonomisë sonë drejt prodhimit?

Në fakt, dihen edhe përgjigjet mbi shkatërrimin që vazhdon të ndodh ende sot. Çfarë nevojitet është angazhimi i përbashkët për një Pakt të Ri ekonomik e politik për Shqipërinë.