Të vegjlit ndikohen shumë prej ndryshimeve që shohin dhe na lind për detyrë të drejtojmë zgjedhjet e fëmijëve tanë. Ajo që duhet bërë është një zinxhir me disa hallka ku përfshihen mësues, prindër, institucione arsimore, shoqata etj. Të gjithë duhet të promovojnë mirëushqyerjen.

Sot po ju japim disa këshilla për ushqimin në shkollë të fëmijëve. Gjëja më e mirë është që fëmijët ta marrin ushqimin nga shtëpija në mënyrë që të shmanget blerja e ushqimeve të shpejta apo të paketuara. Kujdes me produktet e gazuara, patetinat apo cokollatat. Do t’i këshilloja nënave të përfshijnë fëmijën në përgatitjen e ushqimit, duke bërë që fëmija të lidhet me ushqimin duke mësuar çfarë është e shëndetshme, çfarë duhet marrë me vete në çantën e shkollës dhe të mësojnë oraret e duhura të ngrënies së vakteve. Kjo nuk është e vështirë.

Këshilla për prindërit:

  • Flisni me fëmijën tuaj për atë çka do dëshironin të kishin në kutinë e ushqimit të drekës. Diskuto me ta për ushqimet më të shëndetshme dhe pijet të cilat duhen konsumuar.
  • Merreni fëmijën tuaj me vete kur bëni pazarin e ushqimeve.
  • Ndihmojeni fëmijën gjatë përgatitjes së kutisë së ushqimit të drekës.

Çfarë përfshin një kuti ushqimi e shëndetshme?

  • Fruta të stinës
  • Perime të freskëta
  • Qumësht, kos, djathë (me sasi të reduktuar të yndyrnës).

Për fëmijët të cilët kanë problem me laktozën mund të konsumojnë qumështin e sojës dhe të orizit të cilët janë të pasur me kalcium.

  • Është i rekomandueshëm mishi i pulës, veza e zierë fort, gjalpi i kikirikut.
  • Vendosni në kuti produkte integrale
  • Dhe sigurisht, ujë.
  • Në ditë të nxehta vendosni copa të vogla të ngrira të lëngjeve të frutave në mënyrë që të freskoheni në mënyrë të shëndetshme.

Krijoni një varietet ngjyrash në kutinë e ushqimit të fëmijës tuaj, kjo do t’i tërheq ata edhe më shumë. Disa variante dhe ide të thjeshta për të mbushur shëndetshëm kutinë e ushqimit për në shkollë 1) 1 fetë bukë integrale e lyer me gjalpë kikiriku, kastravec të prerë në forma, 1) banane 2) Humus me qiqra të bërë vetë, perime të ziera, fruta te thata 3) Bukë integrale, kos natyral me majdanoz ose koper , domate të vogla, kastravec dhe spec jeshil të prera në kuba 4) Djathë rikota, fetë integrale me vaj ulliri dhe rigon, perime krudo shumëngjyrëshe 5) Tost integral me fileto pule, sallate jeshile dhe fara lire, kivi dhe pak rrush 6) Qofte kungullli, brokoli të zierë dhe pak pure patateje 7) Kek integral me banane dhe rrush të thatë, mollë 8) Biskota orizi, pjepër 9) Briosh me marmelatë frutash, lëng natyral frutash 10) Perime të ziera, tost integral me fileto pule dhe rikota 11) Kek me fruta të thata dhe miell integral, fruta sipas dëshirës 12) Byreçka të vogla të mbushura me patrixhane dhe mish të grirë 13) Sallate frutash dhe fruta të thata 14) Sallatë cesariane pa majonezë 15) Tost me humus dhe pomodorini 16) Patetina të krijuara në shtëpi në furrë, perime krudo, fruta 17) Biskota integrale me tërshërë dhe cokollatë të bëra në shtëpi 18) Kokoshka dhe fruta 19) Fruta të pjekura në furë të mbushura me rikota 20) Kumbulla dhe hurma arabe, sallatë perimesh të ziera.

Është shumë e rëndësishme të mos neglizhohet ky vakt. Ushqimi i mëngjesit jo gjithmonë mjafton për të përballuar ditën. Fëmijët kanë nevojë të hanë shpesh ushqim. Kjo nuk do t’i linte vend urisë apo dëshirës për të ngrenë. Duke qenë i ushqyer fëmija ka më shumë përqendrim në mësim apo detyrat që i caktohen në shkollë. Veç kësaj ushqimi i mirë dhe i freskët nxit zhvillimin intelektual të fëmijës, nxit kujtesën dhe furnizon me energji. Nuk duhet ta lini fëmijën të presë vaktin e drekës sepse shkaktoni uri, pa përqendrim, nervozizëm dhe mos dëshirë për t’u integruar në mësim apo lojë. Veç këtyre në rast se fëmija nuk e kalon urinë e atij çasti, në vaktin e drekës ka gjasa të konsumojë më shumë ushqime të papërshtatshme kjo për punën e metabolizmit duke sjellë në një të nesërme probleme të konsiderueshme shëndetësore. Këto veprime do të sillnin çrregullim të vakteve pasuese, çrregullim të sistemit tretës etj.

Ushqimi nuk duhet ngrënë me shpejtësi. Porositini fëmijët tuaj ta respektojnë orarin e ngrënies duke përtypur mirë ushqimin, duke ngrënë ngadalë në mënyrë që të shijojnë më mirë. Një detyrë e rëndësishme na lind të gjithëve për të folur shumë me fëmijët tanë për një ekuilibër në ushqyerjen e përditshme duke përgatitur individë të shëndetshëm për vazhdimësinë e shoqërisë. Duke konsumuar vakte të vogla por të shpeshta, kemi mundësinë të marrim kalorazhin e caktuar ditor, por i lemë mundësi trupit të metabolizojë nutrientët dhe gjithashtu na ndihmon të mos marrim peshë, problem ky i vënë re shpesh tek fëmijët e moshës shkollore.