Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Zveçla i është përgjigjur në “Ilva now” deklaratave të ish-presidentit Pacolli, i cili theksoi dje se ai për herë të parë ndihej i kërcënuar nga institucionet e shtetit të tij.

Ai tha se deklarimet e Pacollit kanë qenë të çastit dhe krejtësisht të papërgjegjshme dhe të rrezikshme për Kosovën.

“Unë t’ju them të drejtën nuk kam mundur t’i kuptoj deklarimet e tij, sepse disa deklarime të tij kanë qenë të çastit, shpesh herë të çoroditura. Është hera e parë që Kosova akuzohet për terrorizëm shtetëror dhe kjo vjen nga një ish-president në tentativë dhe një ish-ministër i dështuar i Punëve të Jashtme. Është me të vërtetë për keqardhje. Unë nuk mund t’i kuptoj pretendimet e Pacollit, që ai nuk do të donte t’i detyrohet asnjë farë rregulli të përcaktuar qartë nga institucionet, pas rekomandimeve nga Shëndeti Publik, ku thuhet se çdokush që futet në territor të Kosovës, do të duhej ose të shkonte në karantinë dy javore, ose të shkonte në vetëizolim”, tha ai.

Ministri në qeverinë Kurti, tregon masat që ka marrë pas deklaratave të Pacollit, i cili pretendon se ka qenë objekt i një “sulmi terrorist shtetëror”.

“Ai ka deklarata ku ai kërkon që mos të futet as në karantinë dhe as në vetëizolim. Unë besoj se një gazetari investigative do të gjente deklarata të tij, që janë deklarata të papërgjegjshme. Që në momentin e parë kur ky ka deklaruar se ndodhet i kërcënuar, kam kontaktuar drejtorin e Policisë së Kosovës, z. Reshat Shala dhe i kam kërkuar që ai të vihet në kontakt me z. Pacolli dhe të marrë informata se prej nga dhe si ndihet i kërcënuar dhe normalisht t’i ofrojë të gjithë mbrojtjen e nevojshme z. Pacolli. Ai është qytetar dhe deputet i Kosovës, dhe askush nuk do kishte mundësinë dhe guximin ta kërcënonte. Deklarata e të tilla të papërgjegjshme vënë në siklet edhe autoritetet e aeroportit”, theksoi ai.