Alban Krasniqi

Sot u bënë 5 vite që kur ish luftëtarë e komandantë të dalluar të Ushtrisë Çlirimitare Kombëtare u mobilizuan në kundërshtim të regjimit prorus të Gruevskit i cili shtypte shqiptarët dhe u mohonte të drejtat e tyre njëjtë sikur regjimet që detyruan popullin shqiptar të rrokte armët në vitin 2000 përkrah UÇK-së.

Për më tepër, Gruevski i përkrahur nga një pjesë e faktorit politik shqiptar në Maqedoni por edhe në Kosovë dhe Shqipëri kishte filluar të faktorizonte ndikimin ekonomik dhe ushtarak rus duke rrezikuar edhe stabilitetin por mbi të gjitha orientimin propërendimor të rajonit të ballkanit.

Kishin kaluar 13 vite nga përfundimi i luftës në Maqedoni dhe të drejtat e shqiptarëve nuk shiheshin asgjëkundi.
Dhuna sistematike ndaj tyre, rastet e montuara, vrasjet si ajo e Almirit, diskriminimi në çdo sferë ekonomike, sociale dhe politike i kishte mbështetur shqiptarët në MV për muri duke ua zbehur edhe fuqinë e veprimit sepse tashmë kishte politikanë që (njëjtë sikur në Kosovë) thirrjen në emër të luftës e kishin shfrytëzuar për forcimin e pushtetit të tyre por në kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe mbi dhunën ndaj tyre.
Për më tepër kjo kastë politikanësh kishte mbajtur peng edhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Të përmbledhura shkurtimisht këto përbëjnë arsyet dhe motivet që këta djem të udhëhequr edhe nga vlerat dhe idealet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare u rikthyen për të tërhequr vëmendjen e të gjithë faktorëve politik vendor, rajonal dhe ndërkombëtar mbi shkeljen flagrante të drejtave dhe interesave të shqiptarëve nga regjimi kriminal dhe i korruptuar i qeverisë Gruevski, mbi rrezikun e rrëshqitjes së rajonit nën ndikimin rus dhe rrjedhimisht destabilizimit , për moszbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe domosdosë për marrëveshje të re e cila shqiptarët i konsideron kategori kushtetuese shtetformuese.

Sot, 5 vite pas mund të themi me siguri që janë po këta djem që ishin paralajmëruesit e rrëzimit te regjimit të Gruevskit dhe të kastës së korruptuar të politikanëve shqiptarë.

LAVDI DËSHMORËVE TË RËNË NË BETEJËN E KUMANOVËS!??

Liri për luftëtarët që filluan rrëzimin e një regjimi antiqytetar dhe antishqiptar siç ishte ai i Gruevskit!