Dhuna policore nuk ka për ta ndalur rezistencën qytetare

Me qindra forca policore, të armatosura me armë automatike, kanë ndërhyrë sot dhunshëm, rreth orës 4:30 të mëngjesit, në hapësirën publike të Teatrit Kombëtar, Monument Kulture, duke arrestuar qytetarë dhe aktivistë të Aleancës për Mbrotjen e Teatrit, që kanë qëndruar mbi dy vite në mbrojtje të këtij Monumenti Kulture. Mes të arrestuarëve është edhe aktivistja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Megi Mustafaraj. Forcat e Policisë kanë përdorur edhe sprej piperi, gazin lotsjellës dhe mjete të tjera dhune për të larguar protestuesit që po mbronin këtë kompleks të Trashëgimisë Kulturore në zemër të Tiranës, e shpallur nga organizata pan-evropiane “Europa Nostra” si vlerë e spikatur e trashëgimisë kulturore evropiane. Menjëherë pas ndërhyrjes policore janë futur fadromat që kanë shembur pjesët ballore të dy objekteve kryesore të kompleksit të Teatrit Kombëtar.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjithë protestuesëve. Rezistenca qytetare ndaj këtij krimi të shumëfishtë do të vazhdojë. Teatri do ringrihet, bashkë me të dhe populli.

Tiranë, 17 maj 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri