Pastrimi i parave të mafias përmes ndërtimit është aktiviteti prominent i ekonomisë në Shqipëri, gjatë regjimit të Ramës. Ai e filloi këtë praktikë sistematikisht qysh kur ishte kryebashkiak. Përndryshe nuk shpjegohet dot oferta e stërmadhe ndërtimit përballë mungesës së kërkesës në treg.

Por, në rastin e këmbënguljes për prishjen e teatrit u shpërfaq dhe një dimension tjetër i Edi Ramës: përbuzja për popullin, për qytetarët. Demokracia sipas tij përfshin vetëm ata që rreshtohen pas tij, por edhe ata i trajton si ushtarë, jo si qytetarë. Sa për të tjerët që nuk mendojnë si ai, ata janë të parëndësishëm, zhduken nga diskutimi publik, tallen e zvogëlohen nga mjetet e tij të propagandës, fjalët e tyre dekontekstualizohen e rikontekstualizohen (që pushteti të dalë i pagabueshëm), dhe në protesta rrihen, poshtërohen, arrestohen.

Edi Rama është bërë një diktator banana-republike, pra diktator pa plan zhvillimi. Pushteti i tij mbështetet:

– në politikë të jashtme te servilizmi dhe përgjunjja me gojën hapur e sytë mbyllur ndaj çdo të forti

– në politikën ekonomike te shndërrimi i Shqipërisë në parajsë pastrimi parash si dhe te tolerimi i mbjelljes së kanabisit (dikur paligjshëm, tani ndoshta ligjshëm)

– në politikën e brendshme te propaganda (kontroll i rreptë i mediave përmes pronarëve, përdorim masiv i inxhinieringut të rrjeteve sociale, heshtje/zhurmim i kundërshtarëve) dhe te dhuna (e policisë kur ka protesta, e gangsterëve kur ka individë që nuk binden)