Të lirohen menjëherë aktivistët nga masa e arrestit me urdhër politik

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri kundërshton arrestimin e paligjshëm të aktivistit Boiken Abazi dhe qytetarëve protestues Kastriot Qema dhe Flamur Dardeshi. I kërkojmë Policisë së Shtetit shqiptar lirimin e tyre të menjëhershëm, si dhe pushimin e akuzave.

Arrestimi i aktivistit Boiken Abazi është bërë me urdhër politik për shkak të aktivizmit të tij në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

Gjatë protestës së sotme aktivistët tanë kanë ushtruar të drejtat e tyre si qytetarë kundër bandës në pushtet që po abuzon me tërmetin dhe pandeminë për tju shërbyer interesave private dhe mafioze. Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri nuk kanë ushtruar dhunë ndaj policisë së shtetit, por ka qenë policia ajo që ka ndërhyrë dhunshëm mbi protestuesit, duke tërhequr shumë prej tyre në komisariatet e kryeqytetit.

Qendra e VV në Shqipëri ende nuk ka një informacion të plotë por beson se në komisariatet e tjerë ka edhe aktivistë të tjerë të VV.

Pas shumë orësh pritje, ndërkohë që një numër i madh i të ndaluarve nga Policia u liruan ditën e sotme, tre të sipërpërmendurve iu komunikua masa e arrestit. Qendra në Shqipëri e Lëvizjes Vetëvendosje e kundërshton me forcë trajtimin selektiv, me qëllim frikësimi dhe tendencioz ndaj të tre të arrestuarve dhe kërkon lirimin e tyre të menjëhershëm.

Asnjë metodë frikësimi i pushtetit nuk do ti ndalë protestat tona për të mbrojtur të drejtat kolektive dhe interesin publik.

Brutaliteti dhe dhuna nuk do të kalojnë!
Ata që rezistojnë sot, nesër fitojnë!

Tiranë 17 maj 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri