Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu!

Qytetarë, artistë dhe aktivistë të shoqërisë civile dolën sot në protestë kundër aktit barbar e kriminal të klikës në pushtet që shkatërroi më 17 maj, një ditë më parë, Teatrin Kombëtar. Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri iu bashkuan protestuesve me qëllimin për të ndalur tjetërsimin e mëtejshëm të pronës publike të Teatrit. Ata kërkuan publikisht rindërtimin e kësaj pasurie të trashëgimisë kulturore kombëtare, sipas projektit origjinal arkitekturor dhe me kushte të brendshme moderne.

Protestuesit kërkuan lirimin e menjëhershëm të qytetarëve që mbahen padrejtësisht të burgosur. Ndaj një pjese prej tyre janë ngritur akuza të montuara politikisht. Midis tyre është edhe drejtori ekzekutiv i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri, Boiken Abazi. Drejtësia duhet të hetojë dhe gjykojë dhunuesit e qytetarëve ditën për diell, shkatërruesit e pasurive kombëtare natën si dhe ata që dhanë urdhër për ndërhyrje me forca të armatosura në goditjen e ndërtesës bashkë me njerëz brenda.

Shteti nuk është as i kryeministrit dhe as i kryetarit të Bashkisë, por i qytetarëve. Kur përmes akteve të dhunshme arbitrare, shteti bie në dorë të oligarkëve shpërdorues dhe autokratëve, lind nevoja e ç’kapjes së tij përmes aksionit popullor.

Ata që sot rezistojnë, nesër fitojnë!

Tiranë, 18 maj 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri