Juve që ankoheni e thoni se njeriu s’ka ndjenja është mirë t’ju tregoj fatin e një mareshali të Napoleonit. Nuk do t’ja permendim fare emrin që të mos ngacmojmë historianët dhe pedantët.
Ky mareshall ishte ende i ri. Mbresa e faqes dhe leshrat pak si të përhime ja bënin fytyrën tërheqëse. Ishte errësuar nga vuajtjet dhe fushatat e luftrave.
Ushtarët e donin mareshallin: ky kish mbajtur bashkë me ‘ta peshën e luftrave. Flinte shpesh në fushë, pranë zjarrit, i mbështjellë me mantel dhe zgjohej nga klithma e ngjirur e trompetave. Pinte me ushtarët nga i njëjti pagur dhe mbante një uniformë të vjetër të pluhurosur.

Nuk kishte parë dhe nuk dinte gjë tjetër veçse marshime të lodhshme dhe luftime. Nuk i kish shkuar kurrë në mëndje të përkulej mbi shalën e kalit dhe të pyeste fshatarët se si quhej bari që shkelte kali i tij, ose nga çfarë gjë dalloheshin qytetet që kishin ngadhënjyer ushtarët e tij për lavdi të Francës. Luftrat e pareshtura e kishin bërë të rrinte gjithnjë i heshtur dhe të mos e përfillte jetën e vet.
Një dimri, korpusi kalorës i mareshallit, që gjendej asohere në Lombardi, mori urdhër të hidhej menjëherë në Gjermani dhe të bashkohej me “Ushtrinë e madhe”.
Pas dymbëdhjetë ditësh, korpusi u ndal për të kaluar natën në një qytezë të vogël gjermane. Malet e mbuluara me dëborë zbardhnin nëpër errësirë. Rreth e qark ngriheshin pyje ahu dhe vetëm yjtë xixëllonin lart në qiell në mes të shtangësis së përgjithshme.
Mareshalli qëndroi në një hotel. Pas një darke të thjeshtë, u ul në një fron pranë vatrës në sallën e vogël dhe u tha vartësve të tij të largoheshin dhe ta linin vetëm. Ishe i lodhur, donte vetminë.

Qyteza e heshtur, e mbuluar e tëra me dëborë, i përmendte herë kohën e vogëlisë, herë një ëndërr që kish parë përpara disa kohe dhe, ndofta, asqë e kish parë fare. Mareshali e dinte se ato ditë perandori do të bënte një luftim vendimtar dhe e qetësonte vetveten duke thënë se dëshira e qetësisë që e kish pushtuar, i duhej tani atij, mareshalit, si çlodhja e fundit pas bubullimës vrullmadhe të sulmit.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Zjarri i plogështon njerëzit. Mareshalli, që s’po ua hiqte sytë kërcunjve të vatrës, nuk vuri re se qysh në sallë hyri një njeri i shkuar nga mosha, me një fytyrë thatime si të një shpendi. I panjohuri mbante një frak të kaltër, të arnuar. Iu afrua vatrës dhe nisi të ngrohë duart e mardhura. Mareshali ngriti kokën dhe e pyeti i pakënaqur:
-Cili jini ju, zot? Përse hytë këtu kaq qetas, sa nuk ua dëgjova fare hapin?
-Unë jam muzikanti Baumvejs, – u përgjigj i panjohuri.
– Hyra qetas, sepse në këtë natë dimri s’di përse ma kënda të ec pa bërë zhurmë.

Fytyra dhe zëri i muzikantit të bënin për vete, kështu që mareshali, si u mendua, tha:
-Uluni pranë zjarrit, zot. T’ju them të vërtetën mua më ndodh rrallë në jetë të kem mbrëmje të tilla të qeta dhe jam i gëzuar të bisedoj me ju.
– Ju falemnderit, – u përgjegj muzikanti, – por, po të më lejonit, do të më pëlqente më shumë t’i bija pak pianos. Kam dy orë që kur po më ndjek në mëndje një temë muzikore. Duhet ta los në piano, por, lart, në dhomën time s’kam piano.
– Mirë… – ja ktheu mareshali, – bëni si të urdhëroni, ndonëse heshtja e kësaj nate është shumë më e këndshme se sa tingujt më hyjnorë.

Baumvejsi u ul pranë pjanos dhe nisi t’i bjerë shumë lehtë. Mareshalit iu duk sikur rreth qytezës tringëllinte dëbora e thellë dhe e lehtë; këndonte dimri, kumbonin degët e aheve të rënduara nga dëbora dhe kumbonte madje edhe zjarri në vatër. Mareshalli u vrenjt, vështroi kërcunjtë dhe vuri re se nuk kumbonte zjarri, po shporri i çizmes së tij.
– Mua po më faniten përpara gjithfarë djajsh, – tha mareshali. – Ju ndofta jini një muzikant i madh.

– Jo, – u përgjegj Baumvejsi dhe pushoi së kënduari, – unë jam një muzikant i vogël që i bie pjanos nëpër dasmat dhe mbrëmjet e dëfrimit tek princët e vegjël dhe tek çifligarët.
Nga jashtë u dëgjua një gërvimë slite. Hingëllinë ca kuaj.
– Ja, – Baumvejsi u ngrit, – ardhën të më marrin. Më lejoni t’ju them lamtumirë.
– Ku shkoni? – pyeti mareshali.
– Në mal, dy lega larg së këtejmi banon një pyllrojtës, – u përgjegj Baumvejsi. -Në shtëpinë e tij gjendet tani këngëtarja jonë e këndëshme, Maria Çerni. Ka ardhur aty për të shpëtuar nga mynxyrat e luftës. Sot, Maria Çerni mbush njëzet e tre vjet dhe shtron një gosti të vogël. Po si mund të ketë gosti pa pianistin plak Baumvejs?!
Mareshali u ngrit nga poltrona.

– Zot – tha ai, – korpusi im niset që këtej nesër në mëngjes. Nuk do t’ju shqetësoja po të vija me ju dhe ta kaloja këtë natë në shtëpinë e pyllrojtësit?
– Si të urdhëroni, u përgjegj Baumvejsi dhe iu fal krenar, por dukej sheshit se çuditej me fjalët e mareshalit.
– Por, – tha mareshali, – nuk do t’i themi askujt një fjalë për këtë udhëtim. Unë do të dal nga dera e pasme dhe do t’i hyp slitës pranë pusit.

– Si të urdhëroni, – përsëriti Baumvejsi, iu fal përsëri dhe doli.
Mareshalli qeshi. Atë mbrëmje s’kish pirë verë, por megjithatë e kish pushtuar një dehje e madhe.
– Dimër! – tha ai me vete. – Djalli ta marrë, do të shkoj në pyll natën! Mrekulli!

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress
Hodhi mantelin dhe doli tinës nga hoteli nëpër kopsht. Pranë pusit qëndronte një slitë: Baumvejsi priste mareshalin. Kuajt kaluan duke turfulluar pranë rojes në postbllok. Roja, sipas zakonit, ndonëse me vonesë, mori pushkën nga supi, qëndroi drejt dhe përshëndeti mareshallin. Ai dëgjoi një copë herë se si tringëllinin zilkat duke u larguar dhe tundi kokën:
– Ç’natë! Eh, sikur tani të kisha pasur vetëm një gllënkë verë të zier!

Kuajt vraponin në tokën e farkuar me argjënd. Dëbora shkrinte në turinjtë e tyre të valë. Pyjet i kish magjepsur cingërima. Myshku i zi shtrëngonte fort trungjet e aheve, sikur mundohej t’ua ngrohte lëngërat jetëdhënëse.
Befas kuajt u ndalën pranë një përroi. Ky s’kish ngrirë. Shkumëzonte dhe buçiste nëpër gurët duke zbritur nga shpellat e maleve, nga gëmushat e shembura prej stuhive dhe nga gjethishtet e mardhura.
Kuajt po pinin ujë në përrua. Në ujë, nën thundrat e tyre, diç lëvrinte si një rrymë e ndritur. Kuajt u tërhoqën dhe pastaj u vërvitën prapë nëpër udhën e ngushtë.

– Trofta, – tha ai që çonte slitën. – Një peshk i mirë!
Mareshali buzëqeshi. Dehja po i shkonte, Kjo i doli krejt atëhere kur kuajt po çonin slitën nëpër një lirishtë drejt një shtëpie të vjetër me çati të lartë.
Dritaret ishin ndriçuar. Slitari kërceu dhe hoqi kuvertën e këmbëve.
Dera u hap dhe mareshalli, përkrah me Baumvejsin, hyri brenda në një dhomë të ulët të ndriçuar me qirinj, hoqi mantelin dhe u ndal te pragu. Në dhomë kish disa gra e burra të veshur si për festë.

Njëra nga femrat u ngrit. Mareshali e shikoi dhe e mori me mend se kjo ishte Maria Çerni.
– Më falni, – tha mareshali dhe u skuq pak. – Më falni për këtë ardhje të papritur. Por ne, ushtarët, s’dimë as familje, as festa, as ngazëllime paqësore. Më lejoni të ngrohem pakëz në zjarrin tuaj.
Pyllrojtësi plak, iu fal mareshallit, kurse Maria Çerni iu afrua shpejt, e shikoi drejt në sy dhe i zgjati dorën. Mareshalli ja puthi dhe kjo dorë iu duk e ftohtë akull. Të gjithë heshtnin.
Maria Çerni i preku me kujdes faqen mareshallit, kaloi gishtin mbi mbresën e thellë dhe pyeti:
– Ka qenë shumë e dhimbëshme?
– Po, – u përgjegj i turbulluar mareshalli, – një goditje e fortë shpate.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Atëhere, ajo e mori për krahu dhe e shpuri tek mysafirët. Ua paraqiti e turbulluar dhe tërë qejf si të fejuarin e saj. Mysafirët pëshpëritën të habitur.
Nuk e di, o lexonjës, a duhet t’ju përshkruaj Maria Çernin. Po të kishit qënë ju dhe unë bashkëkohas të saj, do të kishit dëgjuar pa dyshim të flitej për bukurinë tërë dritë të kësaj femre, për të ecurit e saj të lehtë, për sjelljen e saj nazetare dhe magjepsëse. Gjer atëhere s’kish dalë ndonjë burrë që mund të guxonte të shpresonte t’ja fitonte dashurinë Maria Çernit. Ndofta vetëm ndonjë si Shileri mund të ish i denjë për dashurinë e saj.

Ç’ndodhi më tej? Mareshalli ndenji dy ditë në shtëpinë e pyllrojtësit. Nuk do të flasim për dashurinë, sepse gjer më sot ne s’dimë se ç’është kjo. Ndofta është dëborë e dendur që bie natën ose përrua dimëror tek llapashitet trofta. Ose është të qeshurit, shkumba dhe aroma e rrëshirës së vjetër para agimit, kur shuhen qirinjtë dhe kur yjet mbështeten tek xhamet për të shndëritur në sytë e Maria Çernit. Kush e di? Ndofta është dora mbi spaletën e fortë, gishtrinjtë që lëmojnë flokët e ftohtë, frakun e arnuar të Baumvejsit. Është loti i burrit për diçka që zemra nuk e kish pasur kurrë: butësi, ledhatim, pëshpëritje pa kuptim në netët e pyjeve. Ndofta është rikthimi i fëmijërisë. Kush e di?

Dhe ndofta është dëshpërimi para ndarjes, kur zemra bëhet copë dhe kur dora e dridhëshme e Maria Çernit, lëmon tapicerinë e mureve, tryezat, dorezën e derës së dhomës që kish qenë dëshmitarja e dashurisë së saj dhe, ndofta, fundja, është klithma dhe zalia e femrës kur jashtë dritareve në mes të tymit të pishtarëve dhe thirrjeve të rrepta të komandës, xhandarët e Napoleonit hidhen poshtë nga shalat e kuajve dhe hynë në shtëpi për të arrestuar mareshallin nën urdhërin e vetë perandorit.
Ndodhin historira që duken e zhduken si shpesë fluturakë, por tiposen përgjithmonë në kujtesën e njerëzve, të cilët patën qenë dëshmitarë pa dashje.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Të gjitha përqark mbetën ashtu si ç’kishin qënë. Pyjet gumëzhinin si gjithnjë kur fryn era dhe përrenjtë rrotullonin në shtjellat e vogla gjethet e errëta. Po ashtu, bubullonte në malet jehona e sëpatës dhe në qytezë dërdëllitnin gratë e mbledhura rreth pusit.
Po s’di përse këta pyje dhe dëbora që bie ngadalë dhe vezullimi i troftave në përrua e shtynin Baumvejsin të nxirrte nga xhepi i pasmë i frakut një shami të vjetër, por gjithnjë të bardhë borë, ta ngjishte në këtë në sy dhe të pëshpëriste fjalë të pikëllueshme pa lidhje për dashurinë e shkurtër të Maria Çernit dhe të thosh se kur e kur jeta i ngjet muzikës.
Po, Baumvejsi pëshpëriste dhe, ndonëse vuante nga zemra, ishte i gëzuar se kish qenë pjesëmarrës i kësaj ngjarjeje dhe kish ndjerë një dridhmë nga ato që rrallë takon t’i ndjejë një pianist plak i varfër.  /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress