Englantina Mersini, Psikoterapiste CBT

Shpesh, gjatë punës time të përditshme dëgjojë nga prindërit, fjalitë: “Ju psikologët jepni këshilla pa fund mbi disiplinën pozitive për fëmijën. Rekomandoni materiale të shumta për të lexuar, por harroni se na duhen shembujt konkret. Si, ku, kur dhe çfarë duhet të kryejmë, në situata të mos disiplinimit dhe sjelljes së pa menaxhueshme me fëmijën! Jo fjalë por vepra!”

– E drejtë. Të disiplinosh një fëmijë në mënyrën e duhur, kjo është pjesa më e vështirë e prindërimit. Disiplinimi është një proces i gjatë, që shndërrohet ndër vite, një mënyrë jetese për fëmijën tuaj.

Ndaj, sot do të përpiqem të flas me shembuj konkret, që mund t’iu ndihmojnë në jetën e përditshme.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Disiplinë do të thotë ta mësosh, jo ta ndëshkosh fëmijën! Disiplinë do të thotë brendësimi te fëmija i vetëkontrollit, derisa të jetë vetë fëmija, që i vendos vetes kufijtë, gjatë viteve në vazhdim.

Duke i vënë kufij fëmijës, në mënyrë të prerë, por me dashuri, ju e ndihmoni atë të formojë standartet e brendshme, për të cilat do të ketë nevojë gjithë jetën.

Mundësitë për t’i mësuar fëmijës disiplinën fillojnë shumë më herët, pikërisht në ditët e para të jetës së tij. Disiplina duhet t’i përshtatet individualisht çdo fëmije.

Shumë i rëndësishëm është edhe kuptimi i motiveve të fëmijës, të asaj se çfarë është në gjendje të njohë dhe mësoj në çdo moshë.

Vendosim kufij për një disiplinim konkretë me këto metoda të thjeshta:

Metodat e Vendosjes së Kufijve

1.Mesazhi Unë.

2.Dhënia e informacionit.

3.Pasojat e natyrshme.

4.Përdorimi i rrjedhojave.

5.Ofrimi i zgjedhjeve.

6.Metoda “Burimi i Fundit”.

– Mesazhi Unë

Eshtë mënyra më e mirë për të vendosur kufij te fëmija, sepse ju i shprehni ndjenjat si një problem për tu zgjidhur. Nga fëmija pritet, që të përgjigjet në mënyrë pozitive.
Mesazhi – Unë ka tre pjesë: Ndjenjat e tua, ajo çfarë po ndodh në atë çast dhe arsyeja, pse jeni e shqetësuar.

Shembuj

Frikësohem kur të shoh tek ngjitesh mbi tavolinë, se është e dobët dhe mund të vritesh.
(ndjenjat e tua) (çfarë po ndodh në cast) (arsyeja)

Nuk mund ta lexoj tregimin me kaq zhurmë, se ndjehem e acaruar.
(arsyeja) (çfarë po ndodh në çast) (ndjenjat e tua)

Ai libër i lënë mbi dysheme më shqetëson, se mund të griset.
(arsyeja) (ndjenjat e tua) (çfarë po ndodh në çast)

Frikësohem tek të shoh të hedhësh lodrat, se dikush mund të demtohet.

-Dhënia e informacionit

Kur ju jepni informacion, përdorni një ton informues të zërit pa bërtitur dhe kërcënuar, e më pas lejoni fëmijën të reagojë.
Nëse fëmija ju injoron, atëherë përdorni një ton më të qartë zëri ose jepni më shumë informacion.

Shembuj

Eshtë koha për tu bërë gati për drekë …(pret një përgjigje).

Lodrat hiqen tutje… (pret një përgjigje).

Nuk mund të marr për të ngrënë drekën derisa lodrat të hiqen!

-Pasojat e Natyrshme

Shembuj

Kur fëmijët i hedhin lodrat, ata i marrin vetë ato.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Duket sikur je bërë pis, ja ku e ke pecetën.

-Përdorimi i Rrjedhojave
Në këtë teknikë veprimi i dytë varet nga kryerja e të parit. Rrjedhoja fillon me “KUR”.
Kjo deklaratë i tregon fëmijës, se çfarë prisni nga ai dhe se, çdo të ndodhë, nëse ai ankohet.

Shembuj

Kur të kesh vënë mënjanë pazëllin, atëherë mund të luash me një tjetër lodër!

Kur të kesh mbaruar së bërtituri, mund të kthehesh në këtë dhomë!

Kur ti kesh veshur këpucët, mund të bëhesh gati për të shkuar jashtë!

-Ofrimi i Zgjedhjeve
Kjo teknikë është efikase në mënyrë të veçantë me fëmijët shumë të pavendosur.
Dhënia e zgjedhjeve eleminon shumë përgjigje “JO”.

Shembuj

Mund të veshësh këpucët ngjyrë kafe ose të zeza!

Mund të luash qetësisht brenda ose me zhurmë përjashta!

-Metoda “Burimi i Fundit
Pasi keni provuar gjithçka dhe fëmija vazhdon në të vetën (me qëllim ju dëmton, përqesh) lëvizeni fëmijën nga vendi dhe vendoseni në një tjetër vend për tu qetësuar. Derisa, ai të jetë në gjendje të luajë pa dëmtuar, duke e lënë atë të zgjedhë se kur do të kthehet.

Nëse ai e përsërit sjelljen, thoni: “Ti mendove se ishe gati për të ardhur, por nuk je në fakt akoma, ndaj shko sërish derisa të qetësohesh!”
Kjo metodë nuk është “time out” sepse fëmija është gjithë kohës në kontroll të situatës dhe zgjidhjes së saj.

Argumente për ndalimin e ndëshkimit fizik dhe psikologjik

Ndëshkimi fizik dhe psikologjik dhunon të drejtën e fëmijës për tu respektuar, për integritet fizik dhe dinjitet njerëzor.

Ndëshkimi fizik dhe psikologjik ka një efekt të dëmshëm mbi zhvillimin e fëmijës. ai ka pasoja sociale, emocionale dhe fizike mbi fëmijët.

Ndëshkimet fizike dhe psikologjike u mësojnë fëmijëve, se dhuna është një metodë e drejtë për zgjidhjen e konflikteve. Gjithashtu, legjitimon abuzimin me pushtetin, si një pjesë thelbësore e raporteve afektive.

Ndëshkimet fizike dhe psikologjike mund të jenë shkaku i lënies së shkollës, i rezultateve të dobëta në mësime, i komunikimit jo të mirë dhe vlerësimit të ulët, që fëmijët kanë për veten e tyre.

Ndihmë për fëmijët të shprehin emocionet e forta – zemërimin.

Si e shprehin zemërimin fëmijët?

Një ndër gjërat më shqetësuese dhe të paqarta mbi zemërimin në fëmijëri është se ai ka tri pjesë. Fëmijët sigurisht, që e ndjejnë zemërimin dhe e shprehin atë, por ata duket se nuk e kuptojnë zemërimin (Kuebli, 1994).

Dizenjimi i dhomës dhe ndikimi i saj në sjelljen e fëmijës

Kritchevsky and Prescott tregojnë se si prindi apo kujdestari mund të ndryshojnë mjedisin e dhomës për të ndryshuar sjelljen e fëmijëve.

Dizenjimi i dhomës ti përshtatet nevojave dhe përvojave të fëmijës.

Hapësira e keq menaxhuar krijon zona problematike.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Si ta menaxhojë sjelljen agresive të fëmijës tim?

 Trego dashuri për të në mënyrë konsistente!
 Jepi vëmendje individuale!
 Lexo, flit, dhe trego ngjarje!
 Luaj me fëmijën dhe ji konsistent me rregullat!
 Asnjëherë mos injoro një situatë, ku fëmija nuk i bindet rregullave!
 Ul ekspozimin ndaj dhunës!
 Monitoro kohën dhe programet që sheh fëmija në TV!
 Mësojini fëmijët të mos jenë viktima!
 Mësojini fëmijët ndaj të cilëve është drejtuar dhuna të thonë “Kjo të dhemb”!
 Më pas shpenzo kohë me fëmijën, në mënyrë që të shprehi ndjenjat dhe zgjidheni konfliktin bashkë!
 Mos e lejoni sjelljen agresive!
 Jepini fëmijës shembuj se si të jetë ndihmues me duart e tij (duart janë për … jo për…)!.
 Vendos rregullin duke thënë “Nuk lejohet goditja”!

-Disa situata kërkojnë ndihmë profesionale.

Disa shenja mund të jenë: agresivitet i shpeshtë me të tjerët; nuk ndjek udhëzimet, nuk të dëgjon; nuk duket i lidhur me ty e nuk të sheh në sy apo prek; kërkon gjithnjë programe me dhunë në tv etj.

Parandalimi i dhunës dhe menaxhimit të zemërimit

Pranimi i emocioneve dhe diskutimi i tyre haptas.

Përdorimi i literaturës (ka një sërë librash mbi kuptimin e ndjenjave)

Shembull:

1.Termometri i zemërimit (fëmijët ngjyrosin në vizatim një termometër, për të treguar sa të zemëruar janë. Ata tregojnë se çfarë e shkaktoi zemërimin, dhe ju kërkohet të mendojnë për mënyra se si ta menaxhojnë situatën herë tjetër.

2.Tryeza e Paqes Shënimet e zemëruara (vizatim i emocioneve në vend të shprehjes verbale)

3.Strategjitë qetësuese (numërimi; frymëmarrja e thellë)

-Nëse dyshoni se fëmija ka probleme të sjelljes, atëherë dokumentoni në mënyrë objektive sjelljen e tij.Rekomandim vizita tek një profesionist i shëndetit mendor.

Shpresoj dhe besoj, që këto teknika dhe metoda të thjeshta mund t’iu ndihmojnë ju prindër, në zbatimin e një disipline konkrete dhe koherente, në jetën e përditshme me fëmijën tuaj! /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

*Bibliografia

Manuali “Arti i rritjes se femijes” Unicef
Manuali “Disiplina pozitive. Te nxisim sjelljet e mira” Childfund
Disiplina pozitive në prindërimin e përditshëm / Joan E. Durrant.
Save the Children, 2013.