INTERPRETIM LOGJIK të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.


Nga: Sead Zimeri

Pjesa e parë:

Mes mundësisë dhe detyrimit

Mua më duket arsyetim i paqëndrueshëm, për shkak të një paqartësie në aktvendim, për të mos thënë kontradikte mes dy propozimeve. Ky është një lexim i shpejtë prandaj edhe kur ta rilexoj nesër mund ta ndryshoj mendimin, por tani ky është leximi im. Edhe pse duhet ta pranojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mua më duket jo mirë i arsyetuar.

Thotë:

1) Presidenti ka mundësinë po jo detyrimin ta shpërndajë Kuvendin.

Por

2) Presidenti nuk e ka kompetencën ta shpërndajë atë pa vullnetin e Kuvendit.

Ose e para ose e dyta. Nëse e para, atëherë ska kuptim e dyta, sepse presidenti ka MUNDËSINË ta shpërndajë Kunvendin. Nëse e dyta e para është e panevojshme. Presindenti NUK ka mundësinë ta shpërndajë Kuvendin. Kontradiktë apo paqartësi?

Gjykata megjithatë e kufizon mundësinë e presidentit duke e interpretuar foljen “mund” kështu: “Përdorimi i foljes “mund” në kontekst të paragrafit të 2 të nenit 82 të Kushtetutës reflekton vetëm mundësinë e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin, bazuar në konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend.”

Çka saktësisht është roli i presidentit këtu? Nëse ai mundet me shpërnda Kuvendin VETËM pasi kuvendi i jep pëlqimin, pra vetëm pasi kuvendi e shpërndan veten, ateherë presidenti, apo roli i tij në shpërndarjen e kuvendit, është i tepërt, i panevojshëm. Kuvendi e shpërndan veten, e ndoshta presidenti në rolin ceremonial i vendosë pikat mbi i-të.

Presidenti nuk ka kompetence reale me shpërnda kuvendim pa miratimin e kuvendit, edhe për një arsye tjetër: “Po të mund të shpërndante Presidenti njëanshëm Kuvendin pas një mocioni mosbesimi, atëherë Presidenti do të kishte fuqinë e barabartë me dy të tretat (2/3) e votave të përfaqësuesve të popullit si dhe do të reduktonte në mënyrë arbitrare vullnetin e nevojshëm të dy të tretave (2/3) të deputetëve për shpërndarje të Kuvendit në vetëm gjashtëdhjetë e një (61) vota, aq sa janë të nevojshme për një mocion mosbesimi.”

Presidenti do të kishte fuqinë e barabartë me 2/3 e votave të përfaqësuesve të Kuvendit po të kishte mundësinë me shpërnda Kuvendin pa miratimin e Kuvendit, pushtet ky që Presidenti nuk e ka.

Atëherë, folja që presidenti ka mundësinë, pra mundet, ta shpërndajë Kuvendin është logjikisht e pakuptimptë, sepse ai në fakt nuk mundet ta shpërndajë kuvendin pa e shpërndarë Kuvendi veten. Në këtë rast, presidenti nuk ka fuqi reale ta shpërndajë kuvendin.

Ky është një interpretim logjik i papërmbajtshëm, por megjithatë kjo pjesë vetëm sa tregon që Gjyqtarët nuk kanë bërë punën e tyre si duhet. Ku është problemi pra?

Paramendo këtë skenar? 2/3 e deputetëve duan që kuvendi të shpërndahet, a mundet presidenti të mos e shpërndajë përkundër vullnetit të kuvendarëve? Nëse mundet atëherë mundësia është reale, e jo vetëm retorike (“presidenti mundet por nuk është i detyruar”) por në këtë rast presidenti bëhet edhe më i pushtetshëm se 2/3 e kuvendarëve. Atëherë interpretimi i Gjykates nuk qëndron. Nëse nuk mundet të mos e shpërndajë, pra nëse është i detyruar ta shpërndajë Kuvendin, atëherë ai nuk mundet të mos e shpërndajë. Këtu presidenti po del i detyruar ta shpërndajë kuvendin. Interpretimi i gjykatës është prap i pakuptimtë. Presidenti ska mundësi reale as ta shpërndajë dhe as mos ta shpërndajë Kuvendin. Me kaq pak mundësi, presidenti duket më shumë si zbukurim sesa si figurë që ka ndonjë pushtet mbi qeverinë apo Kuvendin.

Po dua të them që edhe pas interpretimit të Gjykatës të foljes “mund” ajo nuk është ASPAK më e qartë. Madje është bërë krejtësisht e paqartë. Gjykata ka mund të thojë që presidenti nuk e ka kompetencën ta shpërndajë Kuvendin, dhe t’i gjente një interpretim tjetër, më logjik në kontekst të paraqitjes së saj në Kushtetutë.

APO, ka mundur po ashtu ta interpretojë si mundësi reale që presidenti ka mundësinë ta shpërndajë Kuvendin. Fakti që ata zgjodhën interpretimin e dytë, pra që presidenti nuk e ka atë kompetencë pa i dhënë sqarim të përshtatshëm dhe logjik foljes “mund” tregon që ky interpretim është arbitrar. Sepse përderisa Kushtetuta thotë që presidenti mundet por nuk është i detyruar atëherë gjyqtarët duhet të japin një interpretim modal të fjalës mund; pra çka nënkupton kjo fjalë në Kushtetutë? Nuk mund ta pranojmë si të arsyeshem interpretimin e Gjykatës Kushtetuese sepse mundësia sipas saj del të jetë thjesht mundësi retorike. Por unë nuk e besoj që ky interpretim qëdron. Nëse nuk qëdron logjikisht nuk mundet të qëndrojë as sipas interpretimit ligjor.

Me këtë pjesë nuk po dua të them që Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë, pasi që duhet t’i rishikojmë arsyet që Gjykata i jep për interpretimin e saj të moscaktimit të afatit kohor. Nëse edhe ajo pjesë nuk që dron, është po aq e dobët sa kjo pjesa këtu, e që do t’i qasem nesër, atëherë, gjyqtarët ose po dalin njerëz me aftësi të kufizuara intelektuale ose që e interpretojnë kushtetutën politikisht.

Pjesa e dytë vijon nesër…

Më poshtë janë disa shkëputje nga aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese:

«Ndërsa, në rast të votimit të suksesshëm të mosbesimit ndaj një Qeverie, Presidenti ka mundësinë, por jo detyrimin të shpërndajë Kuvendin.

Mundësia e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin, nuk mund të ushtrohet në mënyrë të pavarur e as në kundërshtim me vullnetin e Kuvendit, por duhet të ushtrohet në bashkërendim me vullnetin e shumicës së nevojshme të përfaqësuesve të popullit të përfaqësuar në Kuvend. Përdorimi i foljes “mund” në kontekst të paragrafit të 2 të nenit 82 të Kushtetutës reflekton vetëm mundësinë e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin, bazuar në konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend. Një konstatim të tillë lidhur me kompetencat presidenciale që ndërlidhen me foljen “mund” [“može”/“may”] në kontekst të shpërndarjes se Kuvendit, konfirmohet edhe në Opinionet e Komisionit të Venecias të përfshira në këtë Aktgjykim.

As Presidenti që është zgjedhur prej Kuvendit, nuk e ka kompetencën ta shpërndajë atë pa vullnetin e Kuvendit; e as ushtrimi i kompetencës së Kuvendit për shprehjen e mosbesimit ndaj një Qeverie që e ka zgjedhur vet, nuk mund të rezultojë edhe në përfundimin e mandatit të vet Kuvendit. Kuvendi nuk mund të kushtëzohet në shpërndarjen e vetvetes nëse zgjedh të shprehë mosbesimin ndaj një Qeverie të zgjedhur prej tij, pasi që mocioni i mosbesimit si mekanizëm i kontrollit kushtetues të Qeverisë nga Kuvendi si organ përfaqësues i popullit, nuk do të kishte asnjë kuptim.

Po të mund të shpërndante Presidenti njëanshëm Kuvendin pas një mocioni mosbesimi, atëherë Presidenti do të kishte fuqinë e barabartë me dy të tretat (2/3) e votave të përfaqësuesve të popullit si dhe do të reduktonte në mënyrë arbitrare vullnetin e nevojshëm të dy të tretave (2/3) të deputetëve për shpërndarje të Kuvendit në vetëm gjashtëdhjetë e një (61) vota, aq sa janë të nevojshme për një mocion mosbesimi. Një fuqi të tillë, Presidentët, bazuar edhe në Opinionet e Komisionit të Venecias, nuk e kanë madje as në shumicën e shteteve me rregullim presidencial.

Kompetenca e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin e përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, zbatohet drejtë, vetëm atëherë kur pas një mocioni të suksesshëm të mosbesimit të votuar nga më së paku gjashtëdhjetë e një (61) deputetë: (i) mungon shumica e nevojshme e deputetëve për të formuar një Qeveri të re dhe në të njëjtën kohë (ii) mungon edhe shumica prej dy të tretave (2/3) të deputetëve, për t’u vet shpërndarë. Pra kjo mundësi, në njërën anë paraqet një mundësi shtesë për të formuar Qeveri brenda legjislaturës ekzistuese dhe për t’i shmangur zgjedhjet, ndërsa në anën tjetër, paraqet edhe mundësi zhbllokimi në rastet kur nuk ka vullnet dhe as shumicë të nevojshme për formim të një Qeverie të re nga Kuvendi brenda të njëjtës legjislaturë.

Presidenti ka qenë i detyruar të fillojë procedurat për t’i dhënë mundësinë formimit të një Qeverie të re bazuar në dispozitat e nenit 95 të Kushtetutës.

Zgjedhja e Qeverisë do të mbetej peng i “afateve të pakufizuara” e në diskrecion të plotë të partisë politike ose koalicionit fitues apo edhe të Presidentit. E para, do të mbante peng formimin e Qeverisë, duke u thirrur në diskrecion të plotë dhe të paafatizuar për të bërë propozimin për mandatar për Kryeministër, ndërsa Presidenti po ashtu, do të thirrej në diskrecionin e plotë dhe të paafatizuar për ta dekretuar të njëjtin. Ky “diskrecion i plotë dhe i paafatizuar kohorë”, në ndërkohë ndërlidhet me zgjedhjen e Qeverisë, kompetencë kjo e një pushteti tjetër, përkatësisht Kuvendit. Një qasje dhe interpretim i tillë, do të ishte arbitrar dhe qartazi në kundërshtim me strukturën e normave kushtetuese, qëllimin e frymën e saj por edhe në kundërshtim me parimet themelore të një demokracie parlamentare.

Gjykata, në këtë Aktgjykim ka theksuar se: (i) për qëllime të “konsultimit” për përcaktimin e mandatarit në mes Presidentit dhe partisë politike ose koalicionit fitues, relevante është vetëm propozimi i kandidatit për Kryeministër dhe mandatimi i tij/saj; dhe (ii) ky “konsultim” nuk mund të përfshijë as çështje që ndërlidhen me shpërndarjen e Kuvendit e as shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, sepse, asnjëra nga këto çështje nuk është as në kompetencën ekskluzive të Presidentit, as të partisë fituese të zgjedhjeve e as të Qeverisë në detyrë/dorëheqje. Kjo sepse, është e qartë se: (i) rastet e shpërndarjes së detyrueshme e Kuvendit janë të përcaktuara saktë në Kushtetutë; (ii) mundësia e shpërndarjes së Kuvendit nga Presidenti, siç është sqaruar tashmë, nuk është kompetencë që ushtrohet nga Presidenti pa bashkërendim me të gjitha partitë politike dhe koalicionet e përfaqësuara në Kuvend, dhe jo vetëm me atë që ka fituar zgjedhjet; dhe (iii) Qeveria nuk ka asnjë kompetencë kushtetuese as lidhur me shpërndarjen e Kuvendit e as shpalljen e zgjedhjeve. Përkundrazi, lidhur me këto dy çështje, roli i partive politike ose koalicioneve të përfaqësuara në një Qeveri, është i barasvlershëm vetëm në fuqinë e tyre që e kanë përmes përfaqësimit në Kuvend. Vullneti i shumicës së Kuvendit në rrethanat e rastit aktual, qartazi i ka pamundësuar Presidentit shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

E drejta për të propozuar mandatarin për Kryeministër është edhe përgjegjësi dhe privilegj. Propozimi i këtij emri, ngërthen në vetvete pikën më të lartë të suksesit të një partie politike ose koalicioni brenda një cikli zgjedhor. E drejta e parë për të propozuar kandidatin për Kryeministër i është garantuar partisë ose koalicionit fitues të zgjedhjeve përmes Kushtetutës. Ushtrimi i kësaj të drejte, nuk është i mveshur edhe me autorizimin për të bllokuar formimin e një Qeverie brenda një cikli zgjedhor. Një qëndrim i tillë, do t’i bënte peng të partisë ose koalicionit fitues, të gjitha institucionet më thelbësore të shtetit.»