Vdekja përmes vrasjes policore të George Floyd i ka vënë flakën Amerikës. Mediat raportojnë se protestat vazhdojnë për disa ditë dhe ishin vetëm ato që çuan në arrestimin e përgjegjësit të vdekjes, policit Dereck Chauvin. Dyqane të djegura në Filadelfia, makina të djegura në Çikago dhe përplasje me policinë në Los Angeles. Në Mineapolis, vendngjarja e vrasjes së Floyd u dogj një stacion policie, ndërkohë që edhe Guvernatori po flet për një racizëm sistemik në Amerikë.  Në disa qytete është vendosur shtetrrethimi dhe me menaxhimin e situatës po merret Garda Kombëtare.

Ky nuk është një shok i përkohshëm. SHBA është në rrezik ekzistencial. Vendi ka nevojë për një lider politik që të qetësojë dhe bashkojë kombin. Por në krye ai ka Donald Trump, shkruan revista gjermane, “Der Spiegel”, e pozicionuar prej kohësh kundër tij.

Është një gjendje që është fermentuar prej kohësh dhe që mori shkëndijë tek një akt vrasjeje i ftohtë. Revista shkruan se Trump po luan me pabarazitë në SHBA dhe ky është një katalizator për ndarjen e thellë të shoqërisë dhe prishjen e konsensusit brenda saj. Është po ashtu interesante të shohësh interpretimin e ngjarjeve nga mediat. Askush nuk po vë në diskutim se vrasja e Floyd lidhet me një problem sistemik dhe me një racizëm që në thelb e përgënjeshtron fabulën e demokracisë në një vend që i predikon mbarë botës të drejtat e njeriut.