Gjatë ditës së sotme është mbajtur një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një konferencë për medie pas takimit foli për diskutimet që u bënë në këtë mbledhje, shkruan “Zeri.info”.

Ai theksoi se sot u miratuan të gjitha nismat që ishin bllokuar nga partitë politike gjatë udhëheqjes së qeverisë “Kurti”.

Sipas tij, puna që ka bërë qeveria “Kurti” është e pashmangshme të mos diskutohet nga “Qeveria ilegale dhe jolegjitime e Hotit”.

“Në atë kohë nismat tona i penguan, sot të gjitha u miratuan. Jemi kundër pse ato u bllokuan deri më tash, ku ka pësuar qytetari pa mbështetje financiare dhe mbrojtje ndaj COVID-19”, theksoi Selimi.

 

Duke mos dhënë shumë detaje se për cilat nisma bëhet fjalë, ai tha se kishin të bënin me projektligje dhe shumë vendime të cilat qeveria “Kurti” priste përgjigjen e Parlamentit, por që nuk i erdhi për shkak të bllokimet që kishin bërë, sipas tij, LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja, Nisma e Lista Serbe.