Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, kanë publikuar raportin analitik: “Korrupsioni në prokurimin publik”, i cili raport është analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve në rastet e veprave penale që ndërlidhen me prokurimin publik.

Në këtë analizë krahas rasteve të tjera të korrupsionit, IKD dhe INPO kanë monitoruar 89 seanca gjyqësore, ku përfshihen 26 raste të korrupsionit, të ndërlidhura me prokurim publik.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, deklaron se në luftimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik, shqetësuese është mos interesimi i sistemit të drejtësisë për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale dhe zvarritjet procedurale të këtyre rasteve.

“Nga rastet që IKD dhe INPO ka monitoruar, në vetëm një rast bëhet fjalë për sekuestrim të pasurisë, derisa në asnjë rast tjetër nuk janë bërë propozime për konfiskimin e pasurisë. Në këtë mënyrë, në mungesë të një propozimi për konfiskim në aktakuzë, Prokurori i Shtetit, në kuptim të konfiskimit, nuk ka pasur se çfarë të mbrojë në seanca gjyqësore”, ka thënë Shala.

Tutje, Shala ka thënë se gjetjet dëshmojnë një qasje jo-bashkëpunuese të Prokurorit të Shtetit me institucionet e tjera, përfshirë këtu edhe mos gatishmërinë për të aftësuar dhe ngriut profesionalisht stafin.

Drejtoresha ekzekutive e INPO-s, Albulena Nrecaj, ka thënë se në fushën e korrupsionit, si një ndër kategoritë më të pa adresuara kriminale nga sistemi i drejtësisë, problem i veçantë vazhdon të jetë korrupsioni në fushën e prokurimit publik, përkatësisht në kanalin përmes të cilit shpenzohet vazhdimisht paraja publike.