MekuliPress ju sjellë pjesë të vështrimit kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar, nga libri kritik i Rexhep Qosjes, “Realiteti i shpërfillur”

Ju ftojmë ta lexoni:

Shprehitë e vjetra

          Kritikën e pikëpamjeve të mia mbi ndikimin e mundshëm çintegrues të vetëdijes së tejshquar fetare në shoqërinë e sotme shqiptare, prandaj edhe në identitetin kombëtar, Ismail Kadare e fillon ashtu siç filloheshin shkrimet politike dhe ideologjike në kohën e komunizmit: duke zbatuar metodologji ideologjike – duke ia vënë gishtin tregues komplotit të armiqve të brendshëm dhe të jashtëm politikë e klasorë dhe duke kërkuar likuidimin e tyre moral! Dy ngjarje politike i shërbejnë Ismail Kadaresë për të bërë politikisht dhe ideologjikisht të dyshimta, në të vërtetë kombëtarisht të dënueshme, pikëpamjet e mia mbi çështjen e trajtuar: e para, ardhja e kryekomisionarit të Bashkimit Evropian, Baroso, në Tiranë në lidhje me nënshkrimin e afërm të marrëveshjes së Shqipërisë me Evropën dhe, e dyta, fillimi i bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës, që sapo kishin filluar në Vjenë. Unë isha ai që, ja, me veprimtari mendore dhe politike po sabotoja fitoret që sapo dukeshin në horizontin shqiptar!
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

          Po, t’ia japim fjalën vetë Ismail Kadaresë:

          “Sa më shumë që nënshkrimi i marrëveshjes së Shqipërisë shtetërore me Evropën afrohej, aq më fort ndiheshin murmurimat. Sa më shumë që afrohej caktimi i statusit të Kosovës, me fjalë të tjera, besimi i Evropës e i Amerikës se Kosova mund të hynte si shtet i pavarur në familjen kontinentale, aq më këmbëngulëse bëhej krrokama se shqiptarët ishin si mish i huaj, pra i padashur, për Evropën.”

          Dhe, më tej:

          “S’ishte mbushur as java e fillimit të bisedimeve të Vjenës për statusin e Kosovës, e s’kishin kaluar veç disa orë që avioni i kryekomisionarit evropian Baroso, ishte ulur në aeroportin e Tiranës, kur murmurimat disi kaotike u shtuan. Ato u shfaqën madje edhe atje ku priteshin më pak, si për shembull, në ndonjë deklarim të akademikut nga Kosova, Rexhep Qosja”.

          Meqenëse presjet i vë edhe ku s’duhet, nuk është e çuditshme pse Ismail Kadare nuk  e vë pikëçuditjen ku duhet: në fund të kësaj fjalie.

          Po të lëmë rregullat e pikësimit e të gramatikës e të shohim logjikën.

          Për të parë sa larghedhëse është kjo logjikë politike po i kthejmë dy pasuset e cituara në trajtën e bashkëbisedimit sepse, kështu, do të mësojmë më mirë çka në thelb mendon autori dhe si mund t’i përgjigjet ndonjë lexues.

          Çka po ngjante ndër shqiptarët në çastet kur po afrohej nënshkrimi i marrëveshjes së Shqipërisë shtetërore me Bashkimin Evropian?

          Po ndiheshin murmurimat.

          (Mungon pikëçuditja).

          Çka po ngjante në çastet kur po afrohej caktimi i statusit të Kosovës, me fjalë të tjera besimi i Evropës e i Amerikës se Kosova mund të hynte si shtet i pavarur në familjen kontinentale?

          Aq më këmbëngulëse bëhej krrokama se shqiptarët ishin si mishi i huaj, pra i padashur, për Evropën!

          Cilët ishin këta krrokatës?

          S’ka përgjigje!

          Çka ngjau pak para se të mbushej java e fillimit të bisedimeve të Vjenës për statusin e Kosovës, e s’kishin kaluar veç disa orë që avioni i kryekomisionarit evropian, Baroso, ishte ulur në aeroportin e Tiranës?
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

          Murmurimat kaotike u shtuan edhe më shumë.

          Prej nga erdhën ato murmurima kaotike?

          Prej nga priteshin më pak.

          Prej nga priteshin më pak?

          Nga ndonjë deklarim i akademikut nga Kosova, Rexhep Qosja.

          Akademiku nga Kosova? Pse e quan akademiku nga Kosova? A vetëm nga Kosova? Ai në zemër s’e ndan Shqipërinë nga Kosova. Për ta larguar prej Shqipërisë shtetërore apo për të treguar se nuk njihet në Shqipërinë shtetërore?

          S’ka përgjigje!

          Mos kur thua se priteshin më pak do të thuash se, megjithatë, nuk është që nuk priteshin fare murmurima kaotike prej gojës së tij?

          Megjithatë, murmurima të tilla kaotike priteshin edhe prej tij?

          Si mund të priteshin murmurima të tilla që t’i i pandeh kaotike prej tij kur ai ka shkruar mbi 3500 faqe për çështjen e  Kosovës dhe çështjen shqiptare në përgjithësi dhe të gjitha këto faqe janë dëshmi e përpjekjeve të tij për t’u çelur dyert e shtëpisë së madhe evropiane edhe për shqiptarët? Si mund të priteshin murmurima të tilla kaotike prej tij, që ti i pandeh kundërevropiane kur aq përpjekjet mendore dhe politike ka bërë dhe bën ai për të sjellë vlerat dhe standardet evropiane në jetën e popullit të vet?

          S’ka përgjigje!

          Dhe, ja se si e dëshmon Ismail Kadare pohimin e tij se edhe prej meje priteshin murmurima kaotike kundër ardhjes së kryekomisionarit evropian, Baroso, në Tiranë në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes me Shqipërinë dhe kundër bisedimeve të Vjenës për caktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, domethënë për kthimin e Shqipërisë shtetërore dhe të Kosovës në familjen mëmë.

          “Përveç nervozizmit të papërligjur ndaj asaj tradite kulturore që ka qenë lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar, nervozizëm që nuk lë pa prekur mbajtjen e portretit të Nënë Terezës në institucionet e Kosovës, në këto shkrime (pra në shkrimet e Rexhep Qosjes-R.Q) spikat diçka e errët dhe e rrezikshme: ndarja e identitetit shqiptar”.

          Nuk ka dyshim se Ismail Kadare nuk është “i ngathët nga mendja” që të mos e kuptojë të vërtetën dhe të drejtën, por Ismail Kadare sado përpiqet të lahet e të shpërlahet nga e kaluara politike dhe ideologjike, nuk arrin të lirohet prej shprehive mendore të krijuara në atë të kaluar. Ato shprehi bëjnë që në shkrimin tim të mos shohë çka në thelb ka dhe që në shkrimin tim të fusë çka nuk ka! Në trajtesën për idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare askund, me asnjë fjali, nuk jam marrë me “traditën kulturore që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar”. Në qoftë se në këtë shkrim me asnjë fjali nuk jam marrë me atë traditë kulturore, shtrohet pyetja: ku e gjen Ismail Kadare atë “nervozizëm të papërligjur” të Rexhep Qosjes ndaj “traditës kulturore që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar”?

          Në veprat e mia? Jo.

          Në shkrimin për Gjon Buzukun, Një vazhdim a një fillim i madh, të paraqitur në sesionin shkencor, në Ulqin në vitin 1995, me rastin e 440-vjetorit të Mesharit? Jo.

          Në Antologjinë historike të letërsisë shqipe, të botuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Kosovës në Prishtinë në vitin 1985, në të cilën janë përfshirë edhe Formula e pagëzimit dhe përkthime e shkrime të Buzukut, Lekë Matrangës, Frang Bardhit, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Gjon Nikollë Kazazit, Ndue Bytyçit, Filip Shirokës, Ndre Mjedjes, Zef Skirovit, Luigj Gurakut,  Hilë Mosit? Jo.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

          Në Historinë e letërsisë shqipe, Romantizmi I-II-III, të botuar për herë të parë në vitin 1984-1985, në të cilën, përpos autorëve të besimit ortodoks dhe myslimanë, natyrisht, janë paraqitur edhe autorët katolikë, mes të cilëve edhe Zef Skiroi, të cilit Ismail Kadare atëherë mund t’ia përmendte emrin vetëm dënueshëm? Jo

          Në studimet, trajtesat, sprovat e mia të botuara në revista në Prishtinë për Ndre Mjedjen, Filip Shirokën, Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën? Jo.

          Në studimin mbi periodizimin e letërsisë shqipe prej Rilindjes e deri sot, të botuar për herë të parë në vitin 1973 dhe të mbajtur, mandej, si ligjëratë edhe në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në të cilën është folur edhe për Gjergj Fishtën dhe është folur në një kohë kur Ismail Kadare për të shqiptonte akuza tepër të rënda me të cilat e zhvlerësonte krijimtarinë e Fishtës dhe, në përgjithësi, letërsinë e klerikëve katolikë? Jo.

          Në librin Tri mënyra të shkrimit shqip, në të cilën flitet edhe për Gjon Buzukun, Pjetër Budin, Frang Bardhin, Pjetër Bogdanin, Ndre Mjedjen, Gjergj Fishtën? Jo.

         Askund në veprat e mia – në monografitë, studimet historike, trajtesat, sprovat, antologjitë e mia, askund nuk mund të gjendet farë “nervozizmi i papërligjur ndaj asaj tradite kulturore që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar”. Përkundrazi: për secilin që gjykon ndershëm, mund të gjendet një përkushtim, vërtet, i madh, si edhe ndaj gjithë letërsisë shqipe. Ku e gjen atëherë Ismail Kadare atë “nervozizëm të papërligjur” të Rexhep Qosjes “ndaj traditës letrare që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar”? Ku, vërtet? VIJON NESËR!
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress