Qysh nga fillimi i përballjes me pandeminë, në Kosovë përveç numrit të madh të qytetarëve që u infektuan në numër shumë të madh janë edhe profesionistët shëndetësor që u infektuan.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka treguar numrin e përgjithshëm të profesionistëve shëndetësor të infektuar me koronavirus, sipas tij nga marsi e deri tani gjithsej 756 punonjës shëndetësor u infektuan.

Sipas Hotit, deri tani vetëm tre mjek kanë humbur betejen me COVID-19, percjell “Zeri.info”

“Që nga regjistrimi i rasteve të para të Covid-19 në Kosovë (13 mars 2020) e deri më sot, 756 profesionistë shëndetësor janë prekur nga ky infeksion (brenda dhe jashtë institucioneve shëndetësore). Këtë javë kemi humbur tre profesionistë të nderuar të mjekësisë kosovare: profesorin Sylejman Rexhepi, kirurgun Ali Tolaj dhe mjekun familjar Fadil Zuka”, ka shkruar Hoti.

Më tej Faik Hoti ka kërkuar nga qytetarët të respektojnë masat, ta ruajnë vetën, familjen e tyre dhe gjithë shoqërinë kosovare.

“Personeli shëndetësor nuk kanë nevojë që të tjerët t’u tregojnë atyre si ta bëjnë punën, ata kanë nevojë që secili të bëj kujdes maksimal, të zbatojë masat e thjeshta si bartja e maskës mbrojtëse, ruajtja e distancës (sociale e fizike) dhe higjienës.  Kështu atyre u lehtësohet puna. Humbja e çdo mjeku/infermieri apo profesionisti tjetër shëndetësor na bën të gjithëve më më të ekspozuar dhe më të pambrojtur para këtij virusi që nuk njeh moshë, gjini, profesion, pozitë apo opozitë dhe që infekton e vret pa mëshirë. Kujdes, mos u anko pastaj”, ka shkruar Hoti.