Sqarim publik nga Besnik Pula

Gjatë javës që shkoi, një grup shqiptaro-amerikanësh ju drejtua liderëve kosovarë me një ftesë për takim në prag të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë që planifikohen të mbahen më 2 shtator në Washington. Ndër nënshkruesit e kësaj kam ftese kam qenë edhe unë.

Shkaku i kësaj letre, ditëve të fundit kam qenë i kontaktuar nga përfaqësues të shumtë medialë në Kosovë, për të dhënë një prononcim. Për ta larë borxhin ndaj opinionit publik, ndjehem i obliguar të jap këtë sqarim, në cilësinë time personale.

Qëllimi i këtij takimi, siç e kam kuptuar unë, ishte që të organizohej një konsultë me liderët kosovarë për atë se çfarë mund të jetë roli i komunitetit shqiptaro-amerikan në kontekstin e këtyre negociatave dhe në kontekst të një organizimi të mundshëm të përfaqësimit të interesave të komunitetit shqiptaro-amerikan në Washington. E vlerësoj rëndësinë që ka përpjekja që, pavarësisht bindjeve personale, komuniteti shqiptaro-amerikan të kultivojë marrëdhënie afatgjata me të gjithë akterët relevantë shtetërorë e politikë shqiptarë Ballkan.

Ndonëse personalisht kam qenë skeptik për formatin e një takimi ku të gjithë liderët ftohen në një tyrezë të përbashkët (qoftë ajo edhe virtuale), në ditët që pasuan organizimi i këtij takimi mori përmasa të një spektakli shumë të përfolur medial e politik. Kjo nuk ishte e pritur nga unë e besoj as nga shumica e nënshkruesve. Takimi ishte paraparë të jetë i natyrës joformale, nga fakti se grupi përbën një formim ad hoc dhe nuk përfaqëson ndonjë organizim ose strukturë të caktuar. Duhet theksuar se grupi i nënshkruesve është grup heterogjen dhe si i tillë nuk përfaqëson anim ose interes të caktuar politik, qoftë në SHBA, qoftë në Kosovë. Motivi qëndror bashkues i grupit, siç është për mua, është perspektiva e rivendosjes së një pranie të përhershme lobuese shqiptaro-amerikane në Washington.

Në kontekst të këtyre zhvillimeve, dua të sqaroj se pozicioni im personal në lidhje me negociatat në Washington është i mirënjohur dhe i bërë publik nga unë në të kaluarën. Ai nuk ka ndryshuar. Unë vazhdoj të besoj se ky është një moment i papërshtatshëm politik për negociata, se gjatë procesit nga pala ndërmjetëse nuk ka pasë dhe nuk ka as tani transparencë përsa i përket kornizës dhe synimeve të këtyre negociatave, dhe se emisari aktual Richard Grenell nuk gëzon asnjë kredibilitet diplomatik për të drejtuar një proces të tillë. Kjo mungesë kredibiliteti rrjedh prej rolit të tij të mirënjohur minues ndaj marrëdhënieve transatlantike si ambasador i SHBA-ve në Gjermani, veprimet e njëanshme dhe të pamatura të z. Grenell në raport me bisedimet Kosovë-Serbi, por edhe nga fakti se ai tashmë nga pozita e diplomatit ka kaluar tërësisht në atë të një zëdhënësi aktiv në fushatën për rizgjedhjen e Donald Trump. Ky rol aktual i z. Grenell e cenon në plotni kredibilitetin dhe integritetin e këtij procesi dhe të mbështetjes amerikane për Kosovën, që nuk do të duhej të ishte pjesë e kontesteve të brendshme elektorale në SHBA.

Pavarësisht nga këto, unë do të vazhdoj të përkrah sot dhe në të ardhmen çdo nismë për organizimin e një strukture të përhershme bipartizane në nivel nacional, që përfaqëson interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA.