Organet gjenitale janë, sipas meje, pjesa e trupit më e rëndësishme për një burrë dhe për këtë arsye duhet që higjiena mashkullore të jetë e qenësishme. Duhet që të kujdeseni për to sepse e meritojnë: nuk je personi i vetëm që përfiton nga pastërtia dhe higjiena e organeve gjenitale, sigurisht dhe partneri do të të falënderojë.

Prandaj ndiqni këto këshilla për të qenë sa më të pastërt dhe të shëndetshëm.

Si fillim duhet të kuptojmë që pastrimi me letër higjienike nuk është njësoj si pastrimi me ujë. Letra higjienike nuk mund të largojë shumicën e mbetjeve, kështu që lëkura dhe qimet do të qëndrojnë të papastra nëse nuk përdorni ujë. Djersa krijon lagështi në zonat intime duke kontribuar në shpërndarjen dhe përhapjen e bakterieve në vithe dhe kofshë.

Është e rëndësishme që të pastroheni me kujdes duke përdorur ujë të ngrohtë çdo ditë, sa herë që bëni dush ose shkoni të tualet. Nëse nuk jeni bërë synet, largoni me kujdes pjesën e lëkurës dhe pastrojeni atë pjesë në mënyrë që të evitoni krijimin e smegmës. Smegma, për ata që nuk e dinë, është ai lëngu biologjik me ngjyrë të bardhë dhe me aromë të rëndë, e përbërë nga sekrecionet dhe qeliza të vdekura. Smegma shërben si lubrifikant natyral dhe ruan lagështinë në penis. Ekzistenca e smegmës nuk është patologji ose sëmundje, por nëse nuk largohet ajo jo vetëm që do të jetë burim arome të rëndë, por dhe do të bëhet vend ku bakteret mund të zhvillohen lehtësisht duke krijuar skuqje apo fryrje të gjenitaleve.

Duhet pasur gjithashtu kujdes në zgjedhjen e larësit i cili duhet të jetë neutral, pa parfume ose substanca shumë agresive, të cilat mund të irritojnë lëkurën sidomos atë që është e ndjeshme. Gjithashtu evitoni të përdorni pudër ose deodorant.

E rëndësishme është të kemi një balancë si çdo gjë tjetër në jëtë, sepse është e vërtetë që organi gjenital duhet larë e pastruar, por nuk duhet rrjepur nga e lara apo përdorimi i larësve agresivë të cilët mund të shkaktojnë inflamacione. Si rrjedhojë të lani penisin një herë në ditë më larës dhe ujë të ngrohtë është e mjaftueshme për higjienën tuaj.

Gjatë kësaj larjeje mos anashkaloni bazën e penisit dhe testikujt, pjesë ku djersa dhe qimet të kombinuara bashkë, krijonë aroma të pakëndshme. Sikurse sqetullat, këto pjesë kërkojnë larje të shpeshta për të evituar krijimin e djersës e cila në fund qëndron e mbyllur në mbathje për pjesën më të madhe të ditës.

Pasi jeni larë me ujë të ngrohtë dhe larës mos harroni të shpëlaheni mirë në mënyrë që të largoni gjithë shkumën e krijuar. Këshilla e fundit ka të bëjë me zgjedhjen e veshjeve të brendshme, të cilat duhe të jenë çdo ditë të pastra dhe prej pambuku, në mënyrë që të ketë qarkullim ajri dhe thithje djerse.