Akademiku ka të drejtë: LDKja përdori FARKun për të ardhur në pushtet
– “Udhëheqja e LDK-së e kishte krijuar FARK-un si gjoja ushtri të saj për të mos lejuar që UÇK-ja të marrë pushtetin” /R.Q/. 

Ndoshta edhe mund të jetë kështu, siç ka konstatuar akademiku ynë në shkrimin e fundit “Dhunëtarët e Historisë”, ama Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) kurrënjëherë nuk kanë qenë pjesë e pushtetit, përkundrazi vetëm se u bën viktimë e tij. Me këtë dua të sqaroj se struktura të tëra të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me ndonjë përjashtim, e kanë përdorur (dhe vazhdojnë ta përdorin) FARKun si kurban në mënyrë që t’i demonizojë kundërshtarët politik dhe të qëndrojnë ose të marrin vet pushtetin. Fakti që pushteti i pasluftës i LDKsë, qoftë ai qëndror apo lokal, më shumë ka rehatuar ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) se sa ushtarë të FARKut, është treguesi më i qartë se çfarë loje të ndyrë ka luajtur kjo parti… FARKu LDKsë i ka shërbyer vetëm për ta hedhur në pritë, herë me sy hapur e herë me sy mbyllur. 

Dhe ashtu siç ndodhi, duke e kurbanizuar dhe shkelur FARKun dhe duke e “viktimizuar” vetën, LDKja erdhi në pushtet (qëndror dhe lokal) në kurriz të “viktimave” të veta, gjithsesi të paramenduara. Në këtë mënyrë, disa prej vendimmarrësve të kësaj partie ia dorëzuan fatin e shtetit dhe institucioneve disa prej figurave më të paskrupullta, të cilat do t’i evidentojë historia me damkën e zezë të degradimit, mashtrimit, mjerimit, shpopullimit e shkatërrimit të shtetit deri në këtë nivel ku jemi tani. 

Pra, FARKu nuk i përdori armët për ta sjellur në pushtet asnjëren parti, por LDKja e shfrytëzoi “armën” e FARKut për të kapur pushtetin, pikërisht në kurriz të tij. 
/Adem Breznica, ish-ushtar i FARK-ut/