Avokati Getoar Mjeku, që në këto zgjedhje ishte kandidat për deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ka fajësuar sot Serbinë për helmim të qëllimshëm të zyrtarëve kosovarë që po numëronin votat me postë.

Në një postim në gjuhën angleze, Mjeku e ka krahasuar rastin e sotëm me helmimin e nxënësve shqiptarë më 1990. Gjithashtu, ka akuzuar Serbinë se po frikëson komunitetin serb në Kosovë.

Postimi i plotë thotë:

Serbia kreu sot një akt tjetër të agresionit ndaj Republikës së Kosovës. 26 zyrtarë kosovarë, duke përfshirë dy gra shtatzëna, u helmuan ndërsa po hapnin zarfet e votave me postë që ishin dërguar nga Serbia. Kjo ndodhi mu në kohën kur kryeministri në ardhje z. Albin Kurti po takohej me z. Nenad Rašić, udhëheqësin legjitim të serbëve kosovarë, për të diskutuar pjesëmarrjen e tyre në demokracinë tonë. Në anën tjetër, Serbia sundohet nga një qeveri fashiste e vendosur për ta destabilizuar, për ta rianeksuar ose për ta ndarë Kosovën. Gjatë fushatës zgjedhore, Beogradi dërgoi agjentët e vet për të frikësuar serbët kosovarë dhe për t’i shkurajuar ata që të mos votojnë partitë që vërtet përfaqësojnë komunitetin e tyre. Akti i sotëm u ngjan pushtimeve të panumërta dhe akteve të gjenocidit gjatë shekujve XIX dhe XX. Në veçanti na rikujton helmimin masiv të nxënësve kosovarë më 1990, nga forcat pushtuese serbe. Serbia jo vetëm se ka dështuar që dënojë krimet e veta; ajo tani po i përsërit ato. Kosova dëshiron paqe dhe marrëdhënie të mira me fqinjët. Fatkeqësisht, shteti i Serbisë ka zgjedhur të mbetet armiku ynë, dhe do të trajtohet si i tillë. Fatmirësisht, megjithatë, populli nuk është armiku ynë. Populli i Kosovës, komuniteti serb, qytetarët tanë që ushtrojnë të drejtën e votës janë bekim për demokracinë tonë. Dhe zgjedhjet e këtij muaji janë historike. Lëvizja VETËVENDOSJE!, grupi politik të cilit i përkas, ka fituar zgjedhjet dhe të drejtën për ta caktuar kryeministrit e ri të vendit. Qeveria e re, e udhëhequr nga z. Kurti, do të punojë për sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për të gjithë. Prioritetet e zotit Kurti përfshijnë dialogun nga poshtë me komunitetin etnik serb, i cili përbën mbi 5 për qind të popullatës së Kosovës.