Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se tre shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës si shtet më vete. Portali serb, Kosovo Online, shkruan se gjatë një deklarate, Vuçiç tha se gjithsej ai ka 7 dokumente të shteteve të ndryshme që nuk njohin Kosovën. Sipas tij, Serbia në forumet ndërkombëtare do të ketë mbështetjen e shumicës së botës, prandaj Kosova nuk mund të bëhet pjesë e Interpolit, UNESCO-s dhe më e rëndësishmja, Kombeve të Bashkuara.

“Dua t’ju informoj se në këtë moment në sirtarin tim dhe në sirtarin e Ministrit të Punëve të Jashtme janë shtatë dokumente për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Kosova vazhdimisht kërkon të njihet, kështu që edhe ne kemi punuar pak dhe kemi pasur sukses, e kemi rritur numrin e tërheqjeve nga katër në shtatë. Kur të jetë e nevojshme, ne do të zbulojmë”, tha Vuçiç.

Duke qenë se Vuçiç nuk ka thënë asnjë emër shteti që kanë tërhequr njohjen e Kosovës, nuk dihet nëse kjo është e vërtet apo një bllof i luajtur nga Presidenti serb.