Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përshëndetur me entuziazëm aktivizimin e Apple Pay në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë dixhitale të vendit.
Përmes një postimi zyrtar, Ambasada ka theksuar se janë krenarë për mbështetjen që kanë ofruar për realizimin e këtij momenti historik për sektorin financiar dhe digjital të Kosovës.
“Lajm i madh për ekonominë dixhitale të Kosovës: Apple Pay tani është zyrtarisht i disponueshëm! Ambasada e SHBA-së është krenare që ka mbështetur këtë hap të rëndësishëm, i cili pasqyron rolin në rritje të kompanive amerikane që investojnë në të ardhmen e Kosovës. Ky moment historik përparon qëllimet e Kosovës për rritje ekonomike, përfshirje financiare dhe modernizim dixhital, duke ndihmuar që vendi të bëhet edhe më tërheqës për investimet dhe inovacionin amerikan”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Apple Pay, një nga shërbimet më të njohura ndërkombëtare për pagesa dixhitale, është tani i disponueshëm edhe në Kosovë, duke mundësuar përdorimin e tij për të kryer pagesa të shpejta dhe të sigurta pa kontakt. Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se ky shërbim është tani i lidhur me kartelat e bankave dhe institucioneve financiare të vendit, duke i mundësuar qytetarëve dhe bizneseve të kryejnë pagesa përmes pajisjeve Apple (si iPhone dhe Apple Watch).
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) theksoi se, “Falë kësaj risie, bankat dhe institucionet financiare në vend mund të lidhin kartelat e tyre me platformën Apple Pay, duke u mundësuar qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë të kryejnë pagesa të shpejta, të sigurta dhe pa kontakt, përmes pajisjeve të tyre Apple.”
Ky zhvillim do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve financiare dhe do të kontribuojë në rritjen e përfshirjes financiare dhe modernizimin e sektorit të pagesave në vend. Me një shërbim të njohur ndërkombëtarisht dhe të besueshëm, Apple Pay ka mundësinë të transformojë mënyrën se si qytetarët dhe bizneset kosovarë kryejnë transaksione, duke i ofruar një mundësi më të shpejtë dhe më të sigurt.
Ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën, që rrit potencialin e saj për të tërhequr më shumë investime dhe për të fuqizuar zhvillimin ekonomik përmes inovacionit dhe përfshirjes financiare.