Në 31 Tetor përfundon afati i zgjatuar për riregjistrimin e targave të mjeteve që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Pavarësisht se riregjistrimi i targave është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel nga serbët, megjithëse Kosova e shtyu një herë afatin e 31 Korrikut, sërish Albin Kurti e gjen veten në pozicionin e atij që refuzon këshillat e SHBA dhe Bashkimit Europian.

Presioni më i fortë për të bërë një hap pas i vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fillimisht qe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier që artikuloi mundësinë e zgjatjes së afatit të vendosur për regjistrimin e automjeteve me targa RKS.

“Ne kemi shprehur shqetësime që në fillim dhe vazhdojmë t’i shprehim për afatin kohor të zbatimit. Mesazhi për Qeverinë e Kosovës është se ne besojmë se duhet më shumë kohë, se nuk jemi të kënaqur me afatin e shkurtër, sepse kjo është e vështirë për njerëzit dhe është e lodhshme. Shpresojmë të ketë një zgjatje” u shpreh ai rreth dy javë më parë.

I drejtpërdrejtë ishte zv.Ndihmës Sekretari për Shtetin për Evropën, Gabriel Eskobar që foli nga Kanali 10 në Beograd. Mesazhi për Kurtin erdhi pas takimeve që Eskobar kishte pasur me serbët.

“Dua të filloj duke thënë se Kosova ka të drejtë që ta zbatojë këtë, por ne duam të zbatojmë në një formë paqësore dhe që nuk i ngre tensionet e që nuk na shpërqendron nga disa gjëra që duhet t’i bëjmë. Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e SHBA-së, por e gjithë QUINT-it. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën”, tha ai.

Kërkesa e Eskobar u pasua nga ajo e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price që tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që palët “mund të zgjidhin çështjen e targave paqësisht përgjatë ditëve në vijim”.

Price iu referua Sekretarit të Shtetit Antoni Blinken për çështjen.

“Ai ka biseduar me të dy, presidentin serb (Aleksandar) Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti më herët gjatë këtij muaji. Ai ka nënvizuar mbështetjen tonë për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa ka bërë thirrje për angazhim përmbajtjesor në garantimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon”, tha Price.

Luhatjet e deklaratës së Kurtit për amerikanët
Në përgjigjen që Albin Kurti u tha partnerëve perëndimorë për shtyrjen e afatit për targat ai përmndi lëshimet që ka bërë më parë Kosova.

“Ne tashmë kemi bërë një shtyrje më 31 korrik. E kemi shtyrë për një muaj dhe në vend se të jetë më 1 tetor, është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori, kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale” – u shpreh kryeministri.

Megjithatë në fjalët e Kurtit u nënkuptua edhe një mundësi për një tërheqje të dytë, kur ai përmendi faktin se qeveria e tij i trajton seriozisht dhe me kujdes këshillat e partnerëve ndërkombëtarë.

“Përveç se duam të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja edhe siguria. Prandaj edhe kur aleatët, partnerët e miqtë tanë ndërkombëtarë na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë më kujdes”, tha Kurti.

Si po luajnë serbët me afatet për targat
Sipas Albin Kurtit fushata për konvertim të targave është po dëmtohet nga një “fushatë negative që e ka burimin në Beograd”….“Por edhe nga aktet kriminale të dhunës ndaj disa prej personave të komunitetit serb të cilët i kanë konvertuar targat në RKS”, u shpreh ai.

Në Beograd ndërkaq presidenti serb tha se “na presin kohë të vështira, do të jemi me serbët në Kosovë, të cilët kanë treguar se nuk duan ta dëgjojnë Kurtin e as të tjerët, por veten dhe ndërgjegjen e tyre”.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.
Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.

Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë. Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.