Nga: Iliaz Shehu

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, shkëlqesia e tij z. Duncan Norman, më vizitoi sot si kandidatin e pavarur për deputet në Qarkun e Lezhës, të mbështetur nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Shqipëri për zgjedhjet e 25 prillit.

Takimi i mbajtur në zyrat e Qendrës VETËVENDOSJE! – Lezhë ishte i karakterit jo vetëm informues, por edhe mjaft miqësor.

Temat që u diskutuan ishin që nga protestat e Thirrës të mbështetura nga ne, presionet e policisë dhe ngjashëm, pikat programore, pritshmëritë, kapacitetet, etj.
E njoftova me detaje ambasadorin Norman për nevojën imediate për diversifikimin e politikës në funksion të alternativave të reja dhe ky i fundit u pajtua plotësisht.
Interesi i ambasadorit Norman qëndronte në kapacitetet tona, me ç’rast u pajtuam edhe për faktin se lëvizja duhet të jetë autentike dhe të ketë themele të shëndosha që vijnë nga qytetarët.

Z. Norman i shpreha shqetësimin për përdorimin e policisë nga ana e pushtetit, por edhe zotimin se fushata do të përshkallëzohet në volum dhe cilësi në Qarkun e Lezhës.
Sa i përket programit, ambasadori Norman ishte tepër i interesuar se si unë si kandidat për deputet kam mundur t’i ngrej si çështje të veçanta në pika programore ato gjëra që ekskluzivisht i prekin qytetarët e Qarkut të Lezhës dhe të gjithë Shqipërisë.
Lidhur me këtë, e njoftova ambasadorin Norman se qytetarët e Lezhës e kanë pritur mjaft mirë qasjen tonë të përqëndruar në turizëm, rini, bujqësi dhe kulturë.

Ndërsa sa i përket pritshmërive, e informova se presim që të fitojmë mjaftueshëm vota për të bërë që zëri i qytetarit lezhjan, mirditor e kurbinas të tingëllojë me zë vullneti e arsyeje të përfaqësuar.