Të huajt përballen me ndalimin nga dyqanet me kanabis të Amsterdamit si pjesë e planeve për të dekurajuar krimin e organizuar dhe për të shkurtuar “turizmin e drogës” që shkakton reagime të ndryshme nga banorët dhe pronarët e bizneseve.

Mbështetur nga policia dhe prokurorët, kryetarja e bashkisë së qytetit, Femke Halsema, ka paraqitur propozime që lejojnë vetëm banorët holandezë të hyjnë në 166 kafenetë e saj që shesin mariuanë, me masën që ka të ngjarë të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.

Kërkimet studimore treguan se 58% e turistëve të huaj që vizitojnë Amsterdamin vijnë kryesisht për të konsumuar kanabisin, tha Halsema, ndërsa një studim tjetër tregoi se qyteti do të mbështeste më pak se 70 dyqane kafeje nëse do t’u shërbehej vetëm vendasve.

“Amsterdami është një qytet ndërkombëtar dhe ne dëshirojmë të tërheqim turistë – por për pasurinë, bukurinë dhe institucionet e tij kulturore,” tha kryetarja e bashkisë, duke shtuar se tregu i kanabisit ishte shumë i madh dhe kishte shumë lidhje me krimin e organizuar.

Kanabisi është teknikisht i paligjshëm në Hollandë, por posedimi i më pak se pesë gram të drogës u dekriminalizua në 1976 nën një “politikë tolerance”. Prodhimi mbetet i paligjshëm, por kafenetë lejohen ta shesin atë.

Halsema tha që masa do të duhej disa muaj për t’u bërë efektive sepse do të duhet të ketë një periudhë konsultimi dhe tranzicioni për pronarët e kafeneve, dhe qyteti dëshironte të prezantonte një skemë të veçantë për shitësit e aprovuar.

Burimi: The Guardian